Me rënien e ish-regjimit komunist dhe ardhjen e demokracisë, ai si gjithë të tjerët, emigroi në Itali, siç shtegtojnë dallëndyshet në vendet e ngrohta, me dëshirë të dyzuar për rikthim, kur koha të ngrohej përsëri.

Quhet Ermir Heqimi, u largua nga Shqipëria në 6 mars të vitit 1991, pa mbushur 19 vjeç, në fazën e tretë të emigrimit shqiptar. Atëherë kur flukse të pakontrolluara njerëzish, brenda një kohe të shkurtër bënë që Shqipërisë t`i largoheshin 300 mijë shtetas në rrugë nga më të ndryshmet.

“Mbaj mend ëe ika me anijen Panameze. Ishte e tmerrshme të shikoje të gjithë ata njerëz, përfshirë fëmijë dhe gra të varur nëpër kavo”, thotë Ermiri.

Historia e tij është e ngjashme me atë të shumicës së shqiptarëve në mërgim. Pas 20 vitesh ai kujton çdo gjë. Si ju largua brigjeve shqiptare, siç thotë ai, kur syri u shndërrua në oqean lotësh dhe në mendje, si çekan, i rrihnin mendimet për “njerëzit” që lë pas.

“Ishim 30-40 mijë vetë kur arritëm në Brindizi dhe mbaj mend mikpritjen e puliezëve. Ata jepnin këpucë, para, veshje etj. Unë me 10 mijë liretat e para që më ranë në dorë dërgova një telegram në shtëpi”, tregon personazhi ynë.

Njeriu që dikur u zhgënjye nga atdheu i tij sot mbush 41 vjeç dhe tregon eksperiencën e tij. Kujtesa ka shënuar çdo veprim “të mbijetesës”, se si u end në jugun e vendit fqinj, e më pas drejt veriut, aty ku gjeti hapësira dhe mundësi.  

“Në fillim e pata të vështirë, por unë jam tip që përshtatem, jam i shoqërueshëm”, shton Ermiri.

Këto fraza tregojnë për pritshmëritë e përjetuara nga emigrantët tanë.Mes ditëve të trishtueshme, të një jete të vështirë, Ermiri themeloi ndërmarrjen e tij, si një zeje, zdrukthtaria ndërtuese, një strukturë private që sot funksionon me shumë punëtorë, i dha sukses të moderuar.

“Pas 12 vjetësh ndërmarrja ime numëron 25 punëtorë, shqiptarë dhe italianë”

Por, ku bazohet suksesi i shqiptarit që po njohim?

“Suksesi besoj se vjen nga fakti që italianët nuk duan t’i bëjnë punët e rënda dhe këto punë po i bëjmë ne shqiptarët”, shpjegon ai.

Në Shqipëri vjen çdo tre muaj. Përveç marrëveshjeve të punës, kthimi në atdhe
është për të një “detyrim i pashkruar”. Djali nga Ura Vajgurore që shpesh është bërë objekt i gazetave italiane për sukseset në investime e donacione, mban lidhur komunitetin shqiptar në Vercelli, me skuadrën amatore të futbollit “SHQIPONJA – ALBA CATI”. Iniciativat paralele të momentit për Ermirin kanë një synim: “Gjithmonë e mendoj të kthehem në Shqipëri. Fillimisht mendova se do të rrija 5 vjet, por më pas u bënë 10 e tani po bëhen 20. Dëshirën për tu kthyer e kam, por është e vështirë.”

Ky ishte një prej emigrantëve të shumtë, ikja nga vendet e tyre të origjinës shumë vite më parë, sipas tyre, ishte një vendim i dhimbshëm. Nga ky rrëfim i rradhës, për Pasdite në Top Channel, kuptuam se vendimit që i detyroi t`i kthenin shpinën shtëpisë dhe vendit ku lindën po i vjen fundi. Ata po përpiqen të besojnë në një rikthim të mundshëm. 

Top Channel