Ndërhyrjet në lista, reagon PS

11/03/2011 21:15

Nëpërmjet anëtares së kryesisë Lindita Nikolla, Partia Socialiste ka shprehur falenderimet për deklaratën e ambasadorit të OSBE, në lidhje me shkeljet e Kodit Zgjedhor dhe mosrespektimin e afateve ligjore në përditësimin në listat e zgjedhësve.

Në emër të PS ajo garantoi opinion publik dhe çdo votues, që do të bëhet e mundur që në këto lista të denoncohen të gjitha shkeljet që ministri Lulzim Basha dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile kërkojnë të bëjnë, me synimin e vetëm të një proçesi zgjedhor jo të ndershëm dhe të manipuluar.

“Falenderojmë ambasadorin e OSBE për deklaratën e tij publike, në mbështetje të shqetësimit tonë të disa ditëve, i cili ka të bëjë me shkeljen e Kodit Zgjedhor dhe mosrespektimin e afateve ligjore në përditësimin në listat e zgjedhësve”, është shprehur Nikolla.

“I bëjmë me dije gjithashtu opinionit publik që Sistemi Kombëtar i Regjistrit të Gjendjes Civile administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, që është në varësi të Ministrisë së Brendshme. Drejtori e cila jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë në mënyrë që teknikisht procesi i përditësimit në listat e zgjedhësve të ishte konform Kodit Zgjedhor dhe në respektim të plotë të afateve ligjore, por akoma dhe më tej ka krijuar një tymnajë informacioni në zyrat e gjendjes civile, duke dashur të prodhojë, as më shumë e as më pak, por procedura që do të çonin në shformim të rezultatit zgjedhor”, theksoi Nikolla.

“Sigurisht edhe për këtë fajin e ka Saliu. Por ne garantojmë jo vetëm opinion publik por çdo votues, që do të bëjmë të mundur që në këto lista ne të denoncojmë të gjitha shkeljet që Lulzim Basha dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile kërkojmë, me synimin e vetëm të një procesi zgjedhor jo të ndershëm dhe të manipuluar”, shtoi ajo.

Top Channel