Në mbështetje të Japonisë

11/03/2011 15:20

Liderët europianë shprehin solidariteti e tyre me Japoninë pas tërmetit të fuqishëm që goditi verilindjen e saj dhe tsunamit të shkaktuar prej tij.

Për kryeministrin britanik David Cameron, tërmetet janë një kujtesë e fuqisë shkatërrimtarë të natyrës.

“I përcjellim popullit japonez ngushëllimet dhe të gjithë simpatinë tonë. Na u kujtua edhe njëherë forca e frikshme e natyrës dhe tani, të gjithë duhet të mendojmë për atë vend, për atë çfarë po kalojnë njerëzit atje. I kërkova menjëherë kabinetit të shikojë se çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar”, është shprehur David Cameron, kryeministër i Britanisë.

Ndihmën e vendit të tij e ofroi edhe presidenti francez Nikolas Sarkozi, i cili tha se Franca po planifikon të dërgojë ekipe specialistësh, avionë dhe të tjera burime ndihmë për autoritetet japoneze.

“Pamjet ishin shokuese dhe në Francë shkaktuan emocione të mëdha. Dua t’u them autoriteteve japoneze se jemi solidarë me ta dhe orët në vazhdim do të dërgojmë njerëz, avionë e ndihma të ndryshme që mund t’u nevojiten për të përballur këtë katastrofë të paprecedent”, deklaroi Nicolas Sarkozy, president i Francës.

E ndërsa përmasat e katastrofës shpërfaqen më shumë çdo orë që kalon, japonezët kanë nisur të vlerësojnë dëmet dhe pasojat e tërmetit shkatërrimtar dhe dallgës së tsunamit.

Banka Qendrore e Japonisë thotë në website-n e saj se do të bëjë ç`është e mundur për të siguruar likuiditete shtesë në mënyrë që të sigurojë stabilitetin e tregut financiar.

Një numër i madh kompanish ajrore devijuan fluturimet nga zona e katastrofës.

Aeroporti i Sendait, sipas televizionit japonez NHK, është përmbytur i gjithi nga uji.

Sony ndaloi punën në 6 fabrika të saj në verilindjen të vendit dhe evakuoi të gjithë njerëzit prej andej.

Tojota mbylli edhe ajo 3 fabrika të saj. Në linja të përgjithshme, thotë Bloomberg, Japonia industriale duket se është kursyer.

Sa për tregun japonez të aksioneve, ai pati shumë pak kohë në dispozicion për të reaguar dhe indeksi Nikkei, që edhe përpara tërmetit ishte goxha ulët, përfundoi në 1,7%.

Top Channel