Libi, dy qytete bien në duart e Gaddafi-t

11/03/2011 08:25

Forcat besnike të diktatorit libian, kolonelit Muammar Gaddafi, arritën të merrnin dy qytete të rëndësishme, në luftimet e djeshme dhe të mëngjesit të sotëm.

Sipas korrespondentëve ndërkombëtare në vend, qyteti i Zavijës, vetëm 50 kilometra në perëndimin e Tripolit, ka rënë në duart e forcave qeveritare pas disa ditësh rezistence të rebelëve në zonat urbane.

Të përballur me një fuqi zjarri shumë më të madhe, rebelët janë detyruar të tërhiqen edhe nga qyteti port i Ras Lanufit, duke bërë kështu që dy pika me rëndësi të madhe strategjike të kalojnë në duart e Gaddafi-t.

Djali i diktatorit, Saif al-Islam, paralajmëroi gjithashtu edhe “fortesën” rebele të Bengazit se trupat qeveritare janë duke mbërritur.

Ndërkohë, gjenerali Mustafa Abdul Jalil, i shndërruar në liderin kryesor të opozitës, bëri një thirrje për fuqitë e mëdha që të ndjekin shembullin e Francës dhe të njohin strukturat rebele si qeverinë e ligjshme të Libisë.

Ai theksoi se disniveli midis kapaciteteve ushtarake është i jashtëzakonshëm, prandaj i kërkoi ndihmë perëndimit për “të fituar betejën ndaj tiranisë”.

Top Channel