BE: Nuk e njohim Geddafin

11/03/2011 20:25

Bashkimi Europian kërkon largimin e liderit libian Gaddafi, të cilin nuk e pranon më si interlokutor. Nga sot, Brukseli njeh zyrtarisht opozitën dhe kërcënon me ndërhyrje ushtarake në rast nevoje, jo në kuadër të NATO-s.

Samiti i jashtëzakonshëm mbi Libinë konkludoi kështu duke pranuar të gjitha propozimet e Francës dhe Britanisë.

“Kolonel Gaddafi duhet të largohet, regjimi i tij është jolegjitim dhe ajo çfarë po i bën popullit është e papranueshme”, është shprehur kryeministri britanik, David Cameron.

“Gadafi duhet të largohet menjëherë që njerëzit të mos vuajnë. Askush që bën luftë ndaj popullit të tij s’mund të flasë me Bashkimin Europian”, theksoi kancelarja gjermane, Angela Merkel.

“Anglezët e francezët, së bashku kemi shprehur gatishmërinë për një ndërhyrje ushtarake të përqëndruar, me kusht që Kombet e Bashkuara të shprehin dëshirën, që Liga Arabe ta pranojë, e që opozita libiane ta dëshirojë, nëse Gadafi do të përdorte armët kimike dhe aviacionin kundër popullatës që manifeston pa dhunë”, tha presidenti francez, Nicolas Sarkozy.

Dy përfaqësues të opozitës libiane ishin të pranishëm në selinë e Këshillit të BE-së, ku u takuan me presidentin Van Rompuy.

“Këshilli i BE-së mirëpret dhe inkurajon Këshillin Kombëtar të ndërmjetëm tranzitor në Bengasi që konsiderohet si interlokutor politik”, deklaroi presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy.

Samiti i jashtëzakonshëm i BE-së mbi Libinë doli me konkluzione dhe mbi Egjiptin e Tunizinë, ku po hasen zhvillimet e dy dekadave më parë, sipas Van Rompuy.

“Ndryshime të pakthyeshme kanë zënë vend tashmë në Egjipt e Tunizi”, tha Van Rompuy.

Një samit trepalësh pritet të mbahet me pjesëmarrjen e përfaqësuesëve të BE-së, Ligës Arabe dhe Unionit Mesdhetar.

Të shokuar nga pamjet e tërmetit dhe cunamit në Japoni, BE dhe NATO, shprehën ngushëllime për jetët e humbura. Franca dhe Britania e Madhe ofruan ndihmë emergjente, ndërkohë që u shpreh gatishmëria nga të dy selitë respektive në Bruksel për mobilizim institucional në rast nevoje.

Aleanca euroatlantike, ku Shqipëria u përfaqësua nga zëvendësministri i Mbrojtjes Arian Starova, miratoi sot planin tranzit aziatik.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel