Sarkozy-BE-së: Të bombardojmë Libinë

10/03/2011 17:30

Perëndimi mund të lëvizë shpejt kundër Gaddafi-t. Presidenti francez Nicolas Sarkozy ka ndërmend t’u propozojë partnerëve të Bashkimit Evropian bombardime të shënjestruara në Libi.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave kreu i pallatit Elize kërkon edhe të kriptojë sistemet e transmetimit të komandës së kolonelit Muammar Gaddafi.

Ndërkohë, sinjale për ndërhyrje kanë ardhur edhe nga presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy, i cili në një mesazh drejtuar liderëve evropianë në vigjilje të samitit të jashtëzakonshëm mbi Libinë thotë:

“Përgjegjësit e akteve të dhunës në Libi do të shkojnë drejt pasojave të rënda. Lidershipi aktual libik duhet të lërë pushtetin pa u vonuar”.

Për Van Rompuy, Bashkimi Evropian nuk mund të qendrojë duarkryq kur bëhet fjalë për sigurinë e një populli.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini ka deklaruar se Italia nuk do të marrë pjesë në bombardimet mbi territorin libik.

Në Bruksel, NATO dhe BE po diskutojnë mbi instrumentet e nevojshëm për t’u përballur me krizën në Tripoli dhe efektet anësore të saj ndaj Perëndimit.

Me një numër të madh “pro”, Parlamenti Europian ka vendosur që t’u kërkojë qeverive të BE-së njohjen e Këshillit Kombëtar Provizor të Libisë, si autoriteti që përfaqëson zyrtarisht opozitën në këtë vend. Gjithashtu, ftohet BE-ja në përgatitjen e krijimit të mundshëm të një zone ndalim-fluturimi.

Ndërkohë, lajmet më të fundit bëjnë të ditur se i biri i Gaddafi-t ka thënë se, nuk do të dorëzohen kurrë. “Nuk ka më mundësi që të negociohet me rebelët dhe Libia nuk do të dorëzohet, edhe nëse ndërhyjnë perëndimorët”, ka deklaruar ai.

Top Channel