Mjedisi, Berisha: Tirana e rrezikshme

10/03/2011 15:40

Kryeministri Sali Berisha ka theksuar se Tirana është një ndër qytetet me ajrin më të ndotur në Europë dhe një ndër shkaqet kryesore është trafiku dhe ndërtimet.

Kryeministri, gjatë një takimi të organizuar nga Ministria e Mjedisit për të diskutuar cështjet mjedisore në Shqipëri, tha se platforma për zgjidhjen e këtyre problemeve jetike do të bëhet publike shumë shpejt.

“Është punuar dhe po punohet me intensitet për t’u dhënë përgjigjen më të shkëlqyer problemeve që kanë katandisur Tiranën në një nga qytetet me ndotjen më të lartë në botë, përsa i përket kryesisht ajrit. Cilat janë platformat? Kini durim t’i dëgjoni nga kryetari i ardhshëm i bashkisë së Tiranës”, iu është përgjigjur Berisha gazetarëve.

Kreu i qeverisë tha se po punohet edhe për zgjedhjen e kandidatëve nga forumet e partisë. “Strukturat e PD dhe qytetarët po bëjnë përzgjedhjet më të shkëlqyera, kështu që forumet do të mblidhen për të bekuar atë c’ka po propozojnë qytetarët”, ka nënvizuar Berisha.

Një ndër motot e mazhorancës për zgjedhjet vendore do të jetë, “bëje të gjelbërt”, një mënyrë për të qenë sa më afër mjedisit.

Top Channel