A duhen monitoruar ambientet publike?

10/03/2011 18:40

Kamerat janë shndërruar në monitoruese të vërteta të jetës sonë të përditshme. Gjithmonë e më shumë, ato na vëzhgojnë pa e kuptuar.

Ato tashmë janë vendosur në rrugë, nëpër bankomate, nëpër supermarkete, banka e shumë mjedise të tjera.

Ajo që emisioni i pasdites u përpoq të zbulonte sot ishte pikërisht mënyra se si funksionon një sistem vëzhgimi.

Punonjësja e një dyqani, Argita, dëshmoi për përvojën e saj në monitorimin e biznesit që kontrollon.

”Ne kemi një sistem monitorimi prej nëntë kamerash. Pamjet transmetohen në një ekran të vetëm, të ndarë në nëntë pjesë, nga ku më pas imazhet studiohen”, deklaroi ajo.

Bizneset e ndryshme e jusfikojnë nevojën e vendosjes së kamerave me nevojën e tyre të sigurisë.

Pamjet e regjistruara, ruhen në një server për një afat të caktuar dhe janë në gjendje të rikthehen, në momentin që pronarit i intereson të mësojë, nëse është kryer ndonjë shkelje apo diçka e ngjashme.

”Materjali ruhet për tetë ose 16 ditë, varet nga pajisja që ne përdorim, por ai mund të ruhet edhe në mënyrë të përhershme në një kompiuter”, tregoi Argita.

Në kushtet kur gjithçka vëzhgohet, ndryshon edhe mënyra se si njerëzit sillen. Sociologia Ermira Danaj foli për alternimet që i shkakton sjelljes së një njeriu prezenca e një kamere.

”Kontraktohemi ose sillemi ndryshe. Nëse dimë që ka një kamera në një lokal ku ne jemi ulur, atëherë mund të sillemi në një mënyrë disi jo të zakontë”, deklaroi Danaj.

”Megjithatë, pas disa minutash, prania e saj harrohet. Nëse do të ishim të vetëdijshëm gjatë të gjithë kohës për prezencën e kontrollit, atëherë jeta jonë do të shndërrohej në një makth të vërtetë”.

Ekspozimi për një kohë të gjatë përpara kamerës survejuese, sipas sociologes, bën që njeriu të mësohet me idenë se po vëzhgohet. Kjo bën që edhe sjellja e njerëzve të mos ndikohet më prej kamerave.

”Ndodh shumë rrallë që njerëzit të mendojnë gjatë të gjithës kohës rreth faktit që ata janë duke u vëzhguar. Për shembull mund të sjell edhe atë që ndodh në Big Brother, ku në javët e para njerëzit janë më të kontraktuar, por më pas dalin tek vetvetja”, vazhdoi Danaj.

Monitorimi i hapësirës publike me kamera lejohet me ligj në kuadrin e mbrojtjes së sigurisë dhe interesit privat. Ditët e fundit, disa kamera kanë vendosur të instalohen edhe në hapësirat publike të Tiranës.

Natyrshëm, lind pyetja nëse cënohet liria personale e njeriut nga këto vëzhgime. Juristi Artur Lezebeu thotë se në radhë të parë, gjëja më e rëndësishme për t’u respektuar është interesi publik.

”Natyrisht që privacia cënohet nga monitorimi me kamera, por nga ana tjetër, është e qartë që interesi i përgjithshëm publik ka një prioritet”, theksoi juristi. ”Dy janë elementët kryesorë të ligjit, siguria e pronës dhe ajo e personit”.

Një tjetër problem lind nëse shtrohet pyetja nëse duhen lajmëruar ose jo personat që janë nën një sistem vëzhgimi. Sipas Lezebeut, kryesorja është që të specifikohet qëllimi se përse po kryhet ky monitorim.

”Është e rëndësishme që në të gjithë ambientet të vendoset një njoftim. Kudo ku gjykohet se personi mund të japë të dhëna të tij private, është e rëndësishme që të vendosen njoftime paralajmëruese”.

Top Channel