Berisha-Grosruk: Përparësi zgjedhjeve

09/03/2011 17:30

Kryeministri Sali Berisha ka pritur sot zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe kryetar i Komitetit të miqësisë Austri-Shqipëri në Parlamentin austriak, deputetin Folfgang Grosruk.

Sipas njoftimit zyrtar, kryeministri e ka siguruar zotin Grosruk se përparësia e tij maksimale tani është organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve sipas standarteve më të larta ndërkombëtare.

“Për këtë, qeveria shqiptare është e gatshme të japë mbështetje të plotë financiare dhe logjistike për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si organi më i lartë i ngarkuar nga ligji për organizimin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri ka theksuar se zoti Rama do të dështojë në qëllimin e tij për të destabilizuar procesin zgjedhor, apo për t’i shtyrë zgjedhjet.

Në njoftim thuhet se zoti Grosruk ka shprehur keqardhjen që përpjekjet destabilizuese të zotit Rama ndikojnë negativisht për imazhin e vendit dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Deputeti austriak, që është një mik personal i kryeministrit dhe aleat politik i Partisë Demokratike, është pritur edhe nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Ajo i ka kërkuar që zgjedhjet e 8 majit të monitorohen nga një numër sa më i madh vëzhguesish të OSBE-së dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Top Channel