Japonia proteston pas “provokimit” kinez

08/03/2011 15:25

Japonia paraqiti një protestë zyrtare, pasi një helikopter kinez fluturoi pranë një destrojeri japonez në detin e Kinës Lindore.

Anija luftarake ishte në patrullim të një zone ujore gazmbajtëse të diskutueshme midis dy shteteve. Tokio dhe Pekini kanë shprehur më parë dëshirën e tyre për të vendosur platforma gaznxjerrëse në zonë.

Marrëdhëniet midis dy shteteve me ekonomitë më të rëndësishme në Azi kanë qenë të tensionuara, që kur Japonia arrestoi një kapiten anije kinez, që po kalonte pranë një ishulli të pretenduar nga të dy shtetet, në 2010-n.

Në notën e protestës, Ministri i Mbrojtjes, Toshimi Kitazawa, e cilësoi manovrën e helikopterit kinez si “jashtëzakonisht të rrezikshme”. Ai shtoi se gjesti mund të konsiderohet si një provokim i autoriteteve të Pekinit.

Sipas Tokios, ai fluturoi deri 70 metra nga destrojeri, në një lartësi prej vetëm 40 metrash. Sovraniteti i një grupi ishujt të vegjël, të quajtur Diaoju, nuk është përcaktuar asnjëherë me konventa ndërkombëtare.

Top Channel