Francë, pezullohet procesi i Chirac

08/03/2011 15:05

Një gjykatë në Paris ndërpreu procesin e nisur ndaj ish-presidentit të Francës, Jacques Chirac, me akuzat e korrupsionit.

Procesi pati nisur vetëm një ditë më parë. Avokati mbrojtës deklaroi se bie ndesh me kushtetutën që të dy akuzat për të cilat 78-vjeçari po gjykohet të bashkohen në një të vetme.

Si rrjedhojë, gjykata vendosi shtyrjen e procesit deri në 20 qershor. Chirac, president i Francës në vitet 1995-2007, besohet se favorizoi bashkëpunëtorë të tij duke i paguar për pozicione që nuk ekzistonin, në kohën kur ishte Kryetar i Bashkisë së Parisit.

Favorizimi dhe korrupsioni janë akuzat e ngritura kundër tij. Chirac i mohon akuzat. Ai udhëhoqi Parisin midis periudhave 1977-1995.

Top Channel