Dita Ndërkombëtare e Gruas

08/03/2011 16:05

8 marsi është ditë kremtimi për gratë nëpër botë. Jo si një festë e thjeshtë, por si një formë respekti, dashurie dhe vlerësimi për të gjitha arritjet sociale, ekonomike dhe politike të femrave.

Ideja e një ditë ndërkombëtare për gruan u hodh për herë të parë në 1900-tën, kur bota e industrializuar po njihte një periudhw tranzicioni e turbullimesh, bumi të rritjes së popullsisë dhe ideologjive radikale.

Dita e parë kombëtare e grave u mbajt në Shtetet e Bashkuara, në pajtim me një deklaratë të Partisë Socialiste të Amerikës.

Por karakterin ndërkombëtar do ta fitonte vetëm pas takimit të internacionales socialiste në Kopenhagen, në 1910-tën, si nderim ndaj lëvizjes për të drejtat e grave.

Dita e parë ndërkombëtare e gruas u vendos të caktohej në 19 mars të vitit pasues.

Një javë pas këtij vendimi, në 25 mars, ndodhi tragjedia e zjarrit në fabrikën e tekstileve “Triangle Shirtëaist” të Nju Jorkut, ku mbi 140 vajzë të moshës nga 16 deri ne 23 vjeç, kryesisht emigrantë, humbën jetën mes flakëve apo duke u hedhur nga katet e sipërme të ndërtesës.

Menaxherët u kishin bllokuar dyert, ashtu siç bënin rëndom gjatë orarit të punës, për t’i ndaluar vajzat të vidhnin bluzat që prodhonin.

8 marsi si datë shfaqet për herë të parë tek mbledhjet dhe manifestimet e grave në Europë kundër luftës së parë botërore.

Pas humbjes së 2 milionë ushtarëve ruse, të dielën e fundit të shkurtit të 1917-s, gratë ruse hynë në greve për “bukë dhe për paqe”.

Katër ditë më pas, Cari u detyrua të jepte dorëheqjen dhe qeveria e përkohshme ju dha grave të drejtën e votës.

Kjo ngjarje ndodhi në 23 shkurt me kalendarin Julian, i cili përdorej asokohe në Rusi.

Ne kalendarin Gregorian, kjo datë i përkonte 8 marsit. 2011-ta shënon 100 vjetorin e ditës së gruas.

Evente të ndryshme janë organizuar në anekënd botës, duke nisur nga Kina ku shtëpiaket e shfrytëzuan festën për të shpalosur talentet e tyre në prerjen e zbukurimeve prej letre, në Filipine ku mijëra gra dolën në një marshim, e deri në Meksikë ku kjo ditë u shënua me një maratonë.

Top Channel