Airbus vazhdon të dominojë ndaj Boeing

08/03/2011 19:40

Firma amerikane e aviacionit, “International Lease Finance Corporation”, lajmëroi sot për blerjen e 100 avionëve Airbus A320 dhe 33 Boeing 737-800, në kontrata që do të kapin vlerën totale të 12 miliardë dollarëve.

Lajmi është një goditje e mëtejshme për amerikanen Boeing, e cila ka parë se si kompania francezo-europiane Airbus i ka rikuperuar ndjeshëm terren, deri sa u bë kompania prodhuese më e madhe në botë që prej 2009-s.

”ILFC” nuk i operon vetë avionët. Ajo është një kompani e specializuar në dhënien me qera të mjeteve për kompanitë e tjera kudo në botë dhe me 930 avionë, ka flotën më të madhe të çdo kompanie në botë.

Nga 12 miliardë dollarët, vetëm 2,6 miliardë do t’i shkojnë kontratave të lidhura me Boeing-un. Marrëveshja kolosale synon të modernizojë flotën aktuale të “ILFC” dhe t’i ofrojë më shumë mundësi zgjedhjeve qeramarrësve.

Top Channel