Spahiu: S’jemi gati për regjistrim të tillë

07/03/2011 22:45

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, një ndër zyrtarët më të lartë shtetëror dhe ndër të parët që ka ngritur zërin kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare vlerëson se Shqipëria nuk është gati për të realizuar një proces të tillë.

Në vijim të fjalës së tij në Shqip në Top Channel, zoti Spahiu tha se regjistrimi në këtë mënyrë sic kërkohet të bëhet nuk mund të realizojë të dhëna të sakta.

“Shqipëria është e papërgatitur në strukturë për të realizuar një regjistrim mbi baza etnike dhe fetare në kushtet e vetëdeklarimit. Qëllimi i një regjistrimi është nxjerrja e të dhënave dhe statistikave të sakta të cilat në këtë mënyrë nuk realizohen, pasi është në kundërshtim me standartet ndërkombëtare e bie ndesh me ligjet e Kushtetutën shqiptare. Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare do të jetë një minë me sahat. Kjo është një papërgjegjshmëri që do të nxisë konflikt ndërfetar e etnik nëse ralizohet”, u shpreh Kreshnik Spahiu.

Më tej nënkryetari KLD-së tha se duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me përputhshmërinë e ligjit për regjistrimin e popullsisë me Kushtetutën. Spahiu u shpreh i vendosur të vazhdojë të mbrojë këtë cështje edhe në Bruksel e përballë deputetëve shqiptarë.

“Zgjidhja? Duhet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetutese, mbi përputhshmërinë e ligjit. Duhen pritur iniciativat për mundësi të amendimit të ligjit për regjistrimin duke vënë dispozita ndaluese që pa kritere objektive të mos bëhet asnjë regjistrim. Aktet e gjendjeve civile t’i nënshtrohen një hetimi të thellëm ndryshe regjistrimi është i manipuluar. Jam i gatshëm që këtë cështje ta mbroj në Bruksel e në Kuvendin e Shqipërisë. Nëse këto janë standartet europiane, ato duhet të respektohen në radhë të parë nga vendet e BE-së, me Greqinë të parën, e pastaj nga vendet që synojnë të anëtarësohen”, përfundoi Spahiu.

Top Channel