Rama, urim mësuesve

07/03/2011 16:00

Kryetari i opozitës, Edi Rama dhe bashkëshrtoja e tij Linda kanë uruar të gjithë mësuesit shqiptarë me rastin e festës së 7 marsit.

Me shumë domethënie ata kanë zgjedhur Kristo Frashërin, emër i shquar i letrave dhe historisë shqipe, për ta uruar në emër të të gjithë mësuesve shqiptarë.

“Urojmë jetë shumë të gjatë, që të keni mundësi që gjithcka që bëni t’ua lini brezave që t’u rikthehen ndër vite. Ju jeni një thesar për kombin”, ka deklaruar Linda Rama.

Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh se sot është koha më e vështirë për dijen, për mësuesin dhe librat.

Sipas tij, sot universitetet janë kthyer në fabrika diplomash të pavlera, koston e të cilave do ta mbartë një gjeneratë e tërë.

“Gjëja që është edhe më e trishtueshme është se investimi në dije po shkon duke u shteruar, bashkë me burimet njerëzore që ne vumë në dispozicion të dijes. Për shkak të një mjedisi që u është krijuar mësuesve, që është më i zi se kolektivizmi pa asnjë lloj merite e sistemi, ku vlera e vetme është ajo materiale dhe propagandistike”, ka deklaruar Rama.

Gjatë bisedës Kristo Frashëri theksoi se të gjithë njerëzit janë me gojë hapur e po presin cdo të ndodhë dhe kur do të kapërcehet kjo krizë. Por, sipas tij, perspektiva është e zymtë.

“Ky komb e ka perspektivën të zymtë, nuk ecën dot. Shpresa është vrarë dhe ne duhet ta ringjallim. Edhe pa kapital bëhet shpresa”, është shprehur Frashëri.

Top Channel