7 Marsi, Berisha fushatë në shkollë

07/03/2011 15:40

Kryeministri Sali Berisha, në ditën e mësuesve, ka inaguruar shkollën e mesme “Gramoz Palushi” në Paskuqan.

Por kryeministri e shndërroi takimin me mësuesit dhe nxënësit në një tubim elektoral dhe nga ndërtesa e shkollës dhe para nxënësve e mësuesve, ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit.

“Më 8 maj ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë qytetarët e Paskuqanit të votojnë të lirë dhe me dinjitet të plotë. Qeveria do krijojë të gjitha kushtet për të votuar njëlloj si në vendet më të zhvilluara. 1 muaj më parë, 75 parti do t’i rikujtonin zotit Rama se pushteti me dhunë nuk merret. Do t’i rikujtonin atij se në Shqipëri Shkodra faktoi se është bërë numërimi më korrekt”, deklaroi Berisha.

Kreu i qeverisë është ndalur në momarrëveshjet mes së djathtës dhe së majtës dhe ka sqaruar se asnjëherë nuk është përdorur dhuna për të marrë pushtetin.

“Vërtet e majta dhe e djathta kanë kundërshtira ndaj njëra-tjetrës, por jo për votën. Respektohet vota e qytetarëve dhe nuk tentohet kurrë të merret pushteti me dhunë sic bëri zoti Rama”, u shpreh Berisha.

Për ndërtimin e kësaj shkolle në Paskuqan janë shpenzuar 660 mijë dollarë. Berisha ka premtuar se për këtë zonë janë programuar edhe 3.5 milionë dollarë investime në arsim.

Kryeministri Sali Berisha përpara qindra nxënësve ka premtuar se do të asfaltojë cdo rrugë të kësaj zone dhe se do të ndërtojë një stadium dhe qendra argëtuese për të rinjtë.

Por ndaj deklaratave të kryeministrit në përurimin e shkollës ka reaguar Partia Socialiste, e cila e ka cilësuar si të papranueshme gjuhën e Berishës.

Deputetja Ledi Shamku ka ftuar gratë që t’i bashkohen protestës së organizuar nga opozita për më 8 mars.

“Vetëm regjimi i Berishës mund të flasë para arsimtarëve me atë gjuhë urrejtjeje ndaj opozitës. Duhet të jesh i pafytyrë që të bësh propagandë dhune dhe urrejtjeje para fëmijëve. Kjo është një arsye më shumë për t’i thënë nesër në protestën e PS “ndal” këtij palo kryeministri”, ka deklaruar Shamku.

Top Channel