PS: Varfëria nga monopolet

06/03/2011 15:45

Rritja konstante e cmimeve në tregun shqiptar është vendosur në fokusin e vëmendjes së Partisë Socialiste, e cila ka konstatuar se shqiptarët janë tashmë të dëmtuar rëndë nga ngritja e cmimeve në ushqime, ilace, karburante apo energji elektrike.

Për Partinë Socialiste, situata nuk do të ishte e njëjtë, nëse, sipas saj, në treg nuk do të funksiononin monopolet, të mbrojtura nga qeveria.

“Të ushqyerit është problem në Shqipëri sepse ne jemi katër herë më të varfër se mesatarja e BE (Eurostat). Qeveria është shkaktare e situatës së rënduar. Ajo bllokon funksionimin e një tregu të lirë duke ndihmuar dhe kontrolluar biznese monopol. Bizneset e qeveritarëve kontrollojnë tregun dhe bëjnë para me monopolet që mbrojnë, ndërsa fatura patjetër që i mbetet dikujt tjetër: qytetarit. Shifra e prodhuar nga qeveria për inflacionin zyrtar që mbetet po njësoj, edhe në këtë vit të rëndë tingëllon e pavërtetë në realitetin tonë”, deklaroi Sekretari i Këshillit Ekonomik të PS-së, Ervin Bushati.

Por, përvec ngritjes se cmimeve në treg, socialistët kanë ngritur zerin edhe për atë që e cilësojne si mosfunksionim të shtetit të së drejtës, nën qeverisjen e kryeministrit Sali Berisha.

Duke marrë shkas nga vrasja e 4 protestuesve opozitarë, por edhe nga afrimi i përvjetorit të tretë të tragjedisë së Gërdecit, ku mbeten të vrarë 26 persona, Partia Socialiste ftoi të gjitha gratë shqiptare të protestojnë më 8 Mars kundër qeverisë së kryeministrit Berisha, të cilin e bën përgjegjës për humbjen e këtyre jetëve dhe pengimin e drejtësisë për të zbardhur të vërtetën.

“Ne do të protestojmë për jetët që pushteti ka marrë për t’u pasuruar vetë financiarisht, për 30 aktet e pashembullta të vrasjes nga oborri i Sali Berishës. Vrasësit nuk mund të vazhdojnë të jenë në pushtet pas krimeve e këto 30 thirrje për drejtësi do të na çojnë të gjithave në shesh, në 8 Mars për të kërkuar shtetin e së drejtës në emër të tyre e në emër të së ardhmes sonë”, tha gjatë nje konference mediatike, deputetja socialiste, Shegush Ligori.
 

Top Channel