Leskaj: Tensioni në Kuvend, faj i Berishës

03/03/2011 21:35

Deputetja socialiste Valentina Leskaj ka deklaruar se tensionimi i vazhdueshëm i seancave parlamentare i ka rrënjët tek grabitja e zgjedhjeve.

“Duhet të kthehemi mbrapa në kohë, ka më shumë se gjashtë muaj apo edhe një vit dhe kjo situatë ka të bëjë me një krizë që i ka rrënjët tek zgjedhjet. Ky është një vend që për 20 vjet s’ka bërë zgjedhje të lira dhe sa herë afrojnë zgjedhjet klima politike nxehet më shumë”, ka pohuar Leskaj.

Duke folur në emisionin “Top Story”, Leskaj është shprehur se kjo situatë vjen si pasojë e diktatit që kryeministri Berisha ka vendosur në Parlament.

“Nëse ne kemi një klimë të tillë në Parlament, do të thosha se Parlamenti është bërë një nga gjeneratorët e konfliktit. Ky është një Parlament që s’ka asnjë element të një demokracie funksionale. Të gjithë e kanë parë që ky është një Parlament që nuk drejtohet nga spikerja, por nga kryeministri dhe reflekton të gjithë atë kulturë që ai ka reflektuar për 20 vjet”, ka deklaruar Leskaj.

Më tej ajo ka kujtuar drejtimin e Parlamentit kur PS ishte në pushtet dhe ka akuzuar kryetaren e Kuvendit se shkel rregulloren duke mos u dhënë deputetëve të opozitës të drejtën për replikë.

“Gjatë kohës që Parlamenti drejtohej nga PS është ndryshuar dy herë rregullorja me konsensusin e opozitës. Ndërsa në vitet e fundit është ndryshuar tre herë në mënyrë të njëanshme. Nuk i jepet e drejta e replikës opozitës dhe për rrjedhojë situata do të tensionohet”, ka shtuar Leskaj.

Top Channel