Korçë, Pogradec e Bilisht, buka 120 lekë

03/03/2011 13:00

Produkti bazë i tryezave shqiptare, buka e përditshme, ka pësuar sërish rritje. Nuk bëhet fjalë për bukë me farë, bukë thekre, apo prodhime të tjera brumi të kategorisë së ‘luksit’.

Çmimi është rritur për bukën masive. Kjo ndikon në financat e shqiptarëve në mënyrë të menjëhershme. Fakti sesa bukë konsumojmë çdo ditë, vërtetohet nga shprehja shqiptare, ku vaktin, mëngjesin, drekën, darkën apo zemrën e përkufizojnë me “bukë”.

Çmimi i bukës është rritur sërish në qytetin e Korçës. Një bukë 800 gramësh kushton 100 lekë në dyqanet dhe furrat e qytetit duke pësuar një rritje të çmimit për të tretën herë radhazi për këtë vit.

Shtrenjtimi ka ndodhur paralelisht në të gjitha furrat e bukës, të cilat kanë rritur çmimin për çdo produkt me 10-20 lekë në varësi të peshës.

E njëjta rritje në çmim ka ndodhur edhe në qytetin e Pogradecit dhe të Bilishtit ku një bukë një kilogramë kushton 120 lekë, ndërsa ajo 800 gramë 100 lekë. Kjo rritje çmimesh kontestohet nga qytetarët për faktin se me të ardhurat e pakta nuk përballohet dot shtrenjtimi i ushqimeve në treg.

Më tepër konsumatorët ankohen për çmimin e bukës, i cili ka ndryshuar tri herë brenda një kohe të shkurtër.

Shtrenjtimi i bukës vjen në një kohë që të gjitha produktet në treg kanë kapur shifra më të larta, ndërkohë që sipas banorëve nuk ka rritje të të ardhurave.

Për një familje kjo do të thotë më shumë shpenzime me të ardhurat mujore që sigurohen, ndërkohë që më shumë janë ankuar pensionistët dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe përkrahje sociale, të cilët nuk mund t’i përballojnë këto çmime që sot ka tregu.

Top Channel