Kodi i ri, ekspertët: Gjobat, jo zgjidhje

03/03/2011 20:05

Dy ditë pasi komisioni për sigurinë kombëtare miratoi projektligjin për disa ndryshime në kodin rrugor, që në fakt s’kanë të bëjnë me asgjë tjetër pervecse ashpërsimit të gjobave ndaj qytetarëve, duke i hapur kështu rrugën për seancën plenare, ekspertët e pavarur deklarojnë se për këto ndryshime shoqëria civile është përjashtuar dhe nuk i është marrë mendimi.

“Kodi ka ndryshime, por para ndryshimeve duhet bërë studimi. Duhet të fillonte me edukimin e policëve të rrugës, qytetarëve, autoshkollave, etj. Jemi ende larg Evropës pasi kodi rrugor nuk është vetëm i policëve por edhe i qytetarëve”, deklaron Gëzim Hoxha, kryetar i Shoqatës së ekspertëve të aksidenteve rrugore.

Sipas tij, këto ndryshime ndëshkojnë vetëm qytetarët dhe përpara se të shkohej tek gjoba duhet të ishin trajtuar probleme më të rëndësishme për qarkullimin, si sinjalistika dhe gjendja e rrugëve, që shpesh janë burim aksidentesh.

“Ne nuk kemi rrugët sipas standarteve, nuk kemi sinjalistikën sipas standarteve dhe mendoj se nuk është filluar mirë”, shprehet Hoxha.

Ekspertët e pavarur për aksidentet rrugore që ndodhin në Shqipëri llogarisin se për dy dekadat e fundit të paktën 6000 shtetas shqiptarë kanë humbur jetën në aksidente automobilistike, me një mesatare prej 350 të vrarësh për cdo vit.

Por, ndërsa kemi një kod rrugor që i përket vitit 1998, për propozimet e kryera për katërfishimin e gjobave me synim edukimin e përdoruesve të rrugës dhe vecanërisht të drejtuesve të automjeteve, ekspertët mendojnë se këto ndryshime janë bërë pa kryer një studim të mirëfilltë mbi problematikën e qarkullimit rrugor në vend.

Në vijim të mungesës së këtij studimi për qarkullimin rrugor nuk ka të dhëna konkrete se cilat janë shkaqet e aksidenteve, cili është raporti mes tyre dhe sa prej tyre ndodhin për shkak të drejtuesit.

Sipas ekspertëve, në propozimet e kryera për kodin lihet të kuptohet se detyrimet dhe gjobat janë vetëm për drejtuesit e mjeteve, ndërsa për strukturat shtetërore përgjegjëse për gjendjen e rrugëve nuk del të ketë ndonjë detyrim.

Po kështu, nuk parashikohen detyrimet për entin pronar të rrugës kur mungon sinjalistika horizontale, ose vertikale dhe kur qytetarët humbasin jetën në mungesë të tyre.

Nuk ka sanksione për entin pronar të rrugeve kur ato janë të papërdorshme, të pakalueshme për shkak të kushteve atmosferike, por që lejohet kalimi duke u bërë shkaktar aksidentesh.

Sipas ekspertëve, nuk është kryer as edhe një studim për policinë rrugore, në kuptimin se sa i ka aplikuar ajo masat ndëshkimore referuar kodit rrugor të vitit 1998 dhe se sa ndëshkuese është ajo ndaj shkelësve të rregullave.

Top Channel