Droga, DASH: Shqipëria rezultate të dobëta

03/03/2011 18:45

Departamenti amerikan i Shtetit ka hartuar raportin vjetor për luftën kundër drogës, ku lidhur me Shqipërinë vlerësohet se ka ende rezultate të dobëta, pavarësisht progresit.

“Shqipëria ka bërë progres gjatë vitit 2010, qeveria e Shqipërisë u përpoq të konfrontonte elementët kriminalë, por droga vijon të mbetet një problem i mprehtë në këtë vend”, thuhet në raport.

Në dokumentin zyrtar vihet theksi tek kontrollet e dobëta në kufijtë detarë dhe ata tokësorë, fenomen që nxitet nga mungesa e mjeteve dhe korrupsioni.

Departamenti i Shtetit vlerëson se trafiku i drogës është një nga veprimtaritë kryesore të grupeve kriminale në Shqipëri, vend që sipas raportit shërben si tranzit për kalimin e heroinës afgane drejt Evropës, kryesisht Italisë dhe Greqisë.

“Forcimi i institucioneve qeveritare ka dhënë efekte pozitive, por progresi ka qenë i ngadaltë”, nënvizohet në raport, ku ndër të tjera thuhet se SHBA dhe BE do vijojnë bashkëpunimin me Shqipërinë në luftën kundër narkotikëve.

Top Channel