Bushati: Kuvendi, palët kalojnë në ekstrem

03/03/2011 22:00

Analisti i njohur i shtypit shqiptar, Andi Bushati ka shprehur bindjen e tij se tensionimi i situatës në Parlament vjen si pasojë e një strategjie të PS.

“Patjetër që ka një strategji të Partisë Socialiste. Problemi është se si duhet të sillesh ndaj kësaj strategjie”, ka deklaruar Bushati.

Por, duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, ai ka nënvizuar se të dyja palët i cojnë akuzat ndaj njëra-tjetrës në ekstrem.

“Nëse e cojmë në ekstrem situatën, si Taulant Balla që i kundërvihej kryetares së parlamentit dhe nga ana tjetër kemi edhe kryeministrin që shante të motrën e deputetit, atëherë…”, është shprehur Bushati.

Më tej, duke komentuar ashpërsimin e rregullores së Kuvendit nga ana e mazhorancës, analisti ka vlerësuar se ajo është një lloj vetëvrasjeje për PD.

“Është e njëjta logjikë si ajo që shkopave dhe gurëve t’u përgjigjesh me plumba. Kjo mazhorancë i bën dëm vetes se raportin e dhunës do ta ketë në krahun e saj. Për një goditje që merr jep dy ose tre. Edhe këto masa represive të rregullores së re nuk do të japin efekt”, ka shtuar Bushati.

Top Channel