Fitoi 11 mln euro, sot jeton me asistencë

01/03/2011 17:55

Të fitosh 11 milion euro të ndryshojnë jetën, por nuk është e thënë që të të bëjnë të jetosh më mirë se më parë.

Këtë e tregon historia e 27-vjeçarit anglez, Micheal Carroll, i cili pasi fitoi një llotari në vitin 2002, sot gjendet i alkoolizuar dhe më i varfër se më parë.

Historia e tij e rrallë u botua gjatë ditës nga e përditshmja britanike “Daily Star”. Ai bleu një biletë llotarie në vitin 2002 dhe fati bëri që të fitonte 9,7 milion paund, që me vlerën e sotme të këmbimit vlejnë 11,4 milion euro.

Ai fitoi shumën e parave kur sapo ishte bërë maxhoren dhe menjëherë nisi të shpenzonte në mënyrën më të pabesueshme. Micheal arriti deri aty sa të shkatërronte makinat e tij luksoze në oborrin e shtëpisë, pasi nuk dinte si të kalonte mbrëmjen.

Një problem tjetër ishte ai i pijes, pasi Micheal llogarit të ketë shpenzuar disa milionë në pije alkoolike, duke u bërë tërësisht i alkoolizuar.

Një javë më parë, policia britanike e arrestoi duke i dhënë makinës në gjendje të dehur dhe kështu Micheal Carrol përfundoi për herë të dytë në titujt kryesor të gazetave.

Pas disa vitesh duke jetuar në luks dhe duke prishur para me bixhoz dhe prostituta, sot Micheal Carroll duhet të mbijetojë duke bërë punë sociale, nga e cila do të grumbullojë më pak se 2 mijë paund duke punuar të gjithë muajin.

Kjo është një formë për të fituar vetë paratë e asistencës sociale. Gjithsesi, gjykata i bëri të qartë që nëse nuk është dakord me dënimin e tij për të punuar për komunitetin, mund të shkojë të jetojë edhe në burg, pasi dhënia e makinës në gjendje të dehur është një krim penal në Britani.

Top Channel