Zgjedhjet, OSBE mësyn Shqipërinë

28/02/2011 15:25

Sekretari i përgjithshem i OSBE-së, konfirmoi ne Tiranë se organizata do të sjellë një mision të gjerë vëzhguesish për zgjedhjet lokale të 8 majit në Shqipëri.

Në takimet me autoritetet më të larta shqiptare, Marc Perrin de Brichambaut, duke cituar vlerësimin e OSBE/ODIHR-it se zgjedhjet e 2009-ës u zhvilluan “gjerësisht në përputhje me angazhimet e organizates”, kërkoi nga të gjitha partitë respketimin e Kodit Zgjedhor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit.

“Unë nuk po flas për ansjë parti në vecanti. Thjesht po u kujtoj të gjithëve se praktikat ligjore duhen respektuar. Këtu ka insitucione që funksionojnë dhe një kornizë të përshtatshme ligjore. OSBE dhe partnerët e tjerë, tashmë, e kanë bërë shumë të qartë se nuk ka asnjë arsye për mosmbajtjen e zgjedhjeve në tetë maj, në kohën kur ato janë caktuar. Ne po punojmë brenda familjes së OSBE-së për të krijuar kushte për zgjedhje të mira lokale në Shqipëri. Dhe ne po përgatitemi për një prani të madhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët do të jenë këtu përkrah shqiptarëve, në mënyrë që të garantojmë një proces të mirë zgjedhor”, deklaroi De Brichambaut.

Në bisedimet me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, një vend të rëndësishëm kanë zënë edhe ngjarjet e 21 janarit, për të cilat ai kërkoi një hetim të shpejtë dhe të pavarur.

“Ne mendojmë se puna e prokurores së përgjithshme, të cilen ne e mbështesim, duhet të kryhet në mënyrë gjithëpërfshirëse, të paanshme dhe të plotë, në mënyrë që të zbulojë dhe të nxjerrë në dritë të gjitha aspektet e ngjarjes së 21 janarit. Kjo duhet bërë pa asnjë ndërhyrje, në mënyrë të paanshme dhe me shpejtesi”, theksoi De Brichambaut.

Top Channel