Shkarkohet kreu i ERE, Nepravishta

28/02/2011 16:00

Dy muaj pas vendimit të Entit Rregulator të Energjisë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike, kryeministri Sali Berisha mësohet se ka shkarkuar kryetarin e këtij institucioni, Bujar Nepravishta.

Lajmi, i cili ende nuk është bërë zyrtar, konfirmohet për Top Channel nga burime konfidenciale. Zoti Nepravishta ka mbajtur detyrën e kryetarit të Entit Rregullator të Energjisë prej më shumë se 6 vitesh, që nga koha kur mazhoranca e djathtë erdhi në pushtet.

Edhe pse ende nuk ka një motiv zyrtar në lidhje me këtë shkarkim të papritur, jo zyrtarisht flitet se motivi është i lidhur me vendimin e fundit të ERE për tarifat e energjisë, i cili penalizoi Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare në favor të Operatorit privat të Sistemit të Shpërndarjes.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ERE vendosi të ulë me 26 për qind cmimin me të cilin KESH i shet energji CEZ-it nga 2.02 lekë për kilovat/orë në 1.48 lekë.

Ndonëse viti i kaluar do të mbahet mend si një nga vitet më të mira hidrike për shkak të reshjeve të shumta, ulja e tarifës për KESH nuk shkoi si përfitim për qytetarët pasi ERE vendosi t’ia kalojë atë si fitim CEZ-it, duke rritur pjesën e cmimit që mban kompania e shpërndarjes.

Vendimi i ul të ardhurat e KESH, sipas përllogaritjeve, përafërsisht 30 milionë dollarë në vit, para të cilat shkojnë si të ardhura për CEZ-in.

Ndonëse po përfliten disa emra, zyrtarisht ende nuk bëhet i ditur emri i atij që do të zëvendësojë zotin Nepravishta në postin e kryetarit të Entit të Energjisë.

Top Channel