Dragostunja, fshati mes dy llojeve të islamit

28/02/2011 20:05

Një fshat me rreth 2 mijë banorë, me rreth 50 hoxhallarë dhe dy xhami që predikojnë dy lloje të ndryshme islami, u vendos në qendër të vëmendjes së “Shqipëria Tjetër”, reportazhi i transmetuar në edicionin e lajmeve të orës 19:30.

Fenomeni është unik për nga lloji i tij në vendin tonë. Si shumë fshatra të tjerë shqiptarë, edhe Dragostunja përballet me një mjerim të tejskajshëm, të cilin njerëzit përpiqen t’a kalojnë, vetëm falë ushqimit të shpirtit.

Nga rruga nacionale, Dragostunja dallohet me vështirësi për shkak të pozicionit thuajse të fshehur, përgjatë një lugine mes maleve të Librazhdit.

Në qendër të fshatit duket minarja e xhamisë së vjetër. Këtu nisi konflikti, nga njëri krah, besimtarët ndjekës të rrymës tradicionale të njohur nga komuniteti musliman shqiptar e nga krahu tjetër, një grup të rinjsh të rikthyer në fshat pas studimeve të financuara nga shoqata private në vendet e Gjirit Persik e Afrikë.

Ndasia dallohet edhe me sy të lirë, pasi radikalet mbajnë mjekër të gjatë, ndërsa tradicionalet jo, ashtu si gratë, ku disa janë të mbuluara me ferexhe e perçe, ndryshe nga pjesa tjeter.

Hoxha i xhamisë së vjetër, Faik Gurra, tregon pa ndrojtje ndryshimin e madh mes dy grupeve të besimtarëve.

”Këta të rinjtë përshëndeten duke thënë Selam Alekum dhe janë shumë agresivë në çdo pikë”, thotë Gurra.

Çarjes që ka hyrë në çdo shtëpi të fshatit nuk i ka shpëtuar as vetë hoxha Faik Gurra, vëllai i të cilit zgjodhi të ndiqte rrymën fetare të të rinjve.

Zydi Gurra jeton vetëm pak metra nga xhamia që drejtohet nga vëllai i tij, me të cilin nuk flet që prej kohës kur zgjodhi të shkonte në xhaminë tjetër.

Zydiu nuk pranon të na takojë e aq më pak të flasë, ashtu si pjesa dërrmuese e besimtarëve të xhamisë së re. Vetëm njëri prej tyre nuk heziton të thotë pak fjalë.

”Përsa i përket ndarjeve, më shumë i zmadhojnë njerëzit, se sa ekzistojnë me të vërtetë”, thotë Shpëtim Bajrami, i cili është një ndjekës i rrymës së xhamisë së re.

Në xhaminë e re të ngritur në një rrëpirë mes pyjeve të dushkut, nuk gjejmë askënd. Shumica e besimtarëve janë larguar pasi kanë mësuar për mbërritjen tonë.

Kjo godinë është ndërtuar këtu në mënyrë të shpejtë dhe pa asnjë leje, qoftë ndërtimore, qoftë nga komuniteti musliman. Më e çuditshme, nuk dihet as burimi financiar me të cilin ajo është ngritur.

Banorë, shumica nën zë, tregojnë se besimtarët e xhamisë së re, në kohën e rekrutimit, i përkisnin familjeve më të varfëra të fshatit, ndaj u bënë pre e lehtë për shoqatat e ndryshme e të panjohura islamike.

Këto shoqata nuk dihet se nga erdhen, por ato më pas i tërhoqën të rinjtë për kurse dhe shkollime tërësisht private, në vende si Arabia Saudite, Siria, Sudani, Jordania, Katari e Kuvajti.

Gjithçka është kryer pa miratimin dhe duke tejkaluar Komunitetin Musliman Shqiptar.

”Këta na thonë se duhet të përshtatemi me këto të rejat, se besimi ynë është vjetëruar, por ne ndihemi më mirë nga të vjetrat”, thotë një banor i Dragostunjës.

Siç na thonë në fshat, islamikët radikalë ndjekin tradita të tjera, jo vetëm përsa i përket lutjeve në xhami, por edhe në jetesën e përditshme. Ata nuk marrin pjesë në dasma dhe morte jashtë grupit të tyre.

Rryma që ndjekin nuk lejon muzikën, orkestrën apo këngën në dasma e festa. Si në hidhërime dhe në gezime, gratë e burrat qëndrojne veç e veç, gratë duhet të jenë të mbuluara me perçe dhe ferexhe.

Besimtarët më ekstreme thonë se femrën islame nuk duhet t’a preke e t’a shohë as drita e diellit. Lejohen martesat brenda të njejtit trung, edhe me kushërirën e parë, në shumë raste në shtepi nuk lejohet as televizori. Tradita këto shumë të largëta për muslimanet tradicionale shqiptarë.

Edhe pse përpiqemi të kontaktojme me hoxhën e xhamisë së re është e kotë. Dy herë që e kërkojmë në shtëpi, nëna e tij ngre supet për vendodhjen, të paktën kështu na thotë.

Askush nuk di të thotë përse fondacionet misterioze përzgjodhën të rinjtë e Dragostunjës. Dikush e lidh me traditën e hershme e të lidhur fort me islamin në këtë zonë që i ka bërë banorët të agjërojne fshehurazi edhe në kohën e diktaturës.

Të tjerë e justifikojnë me etjen e këtyre të rinjve për dije. Të tjerë thonë se ata thjesht tërhoqën njeri-tjetrin. Gjithçka mbetet në trajtën e fjalëve, sepse vetë besimtarët e xhamisë së re, nuk pranojnë të flasin për këtë gjë as në biseda private.

Dragostunja është vetëm një fshat i vogël që jeton mes dy xhamive, por që paralajmëron për atë që mund të ndodhë nëse Shqipëria do të vazhdojë të jetë një han me dy porta, ku do te hyjnë e do të dalin shoqata e fondacione private fetare, ilegale a gjysëm ilegale, të cilat shfrytëzojne varfërinë dhe mungesën e informacionit të banorëve, për t’u imponuar një mënyre tjetër jetese, shpesh herë edhe të rrezikshme.

Kjo është Dragostunja, e cila jeton mes realitetit tolerant shqiptar dhe një realiteti tjetër, të largët e kaq të panjohur.

Top Channel