Xhamia, zgjidhen pesë studio

26/02/2011 16:05

Nga 100 kërkesa dhe aplikime janë përzgjedhur tashmë 5 studio arkitekturore që me projekt-idenë e tyre për xhaminë e re dhe muzeun e Tiranës për bashkëjetesën fetare do të jenë pjesë e konkursit të hapur që do të zhvillohet për këto dy objekte. (UPDATE)

Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kjo është një sfidë e madhe jo vetëm për komunitetin fetar.

“Është një sfidë e shumëpritur jo vetëm nga besimtarët myslimanë dhe komunitetin e tyre, por edhe nga të gjithë kryeqytetasit për një xhami të re të Tiranës që ne dëshirojmë të jetë një objekt që të hyjë në analet e arkitekturës evropiane bashkëkohore, që të hyjë në koleksionin e xhamive të botës si një gurë i çmuar që i shtohet kurorës së veprave të të njëjtit lloj”, tha Rama.

Ndërmjet studiove nga Madridi, Parisi, Kopenhageni, Amsterdami dhe Londra të cilat janë përzgjedhur nga komisioni i përbërë nga komuniteti fetar dhe Bashkia e Tiranës në bazë të CV-ve apo punimeve që ato kanë kryer radhitet edhe arkitektja e njohur Zaha Hadid me origjinë nga bota myslimane e cila jeton në Londër.

Këto dy objekte, tha Rama, kanë një rëndësi të veçantë për bashkëjetesën fetare që dallon dukshëm ndër të gjithë vendet e tjera kryeqytetin tonë.

“Do të jetë një vepër e cila do t’u flasë shqiptarëve të rinj për pasurinë e jashtëzakonshme të këtij qyteti që është harmonia dhe bashkëjetesa fetare, në harmoni brenda një trekëndëshi që do të plotësohet nga kjo vepër mes tre komuniteteve më të mëdha, në një kryeqytet ku si radhëkund dy katedrale dhe një xhami përqafojnë brenda tyre zemrën e një vendi në mes të Evropës”, theksoi Rama.

Pesë studiot që do të garojnë me projekt idetë ndërmjet tyre do të vlerësohen nga një juri ndërkombëtare si dhe nga përfaqësues të komunitetit mysliman.

Top Channel