Lëvizja Socialiste për Integrim u ka dërguar një letër dy kryetarëve të grupeve më të mëdha parlamentare, Astrit Patozit dhe Gramoz Ruçit, ku u kërkon nisjen me urgjencë të punës për reformën zgjedhore. (UPDATE)
Kur kanë mbetur pak më shumë se dy muaj nga data e dekretuar e zgjedhjeve lokale, Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, të cilin e konsideron edhe si fillim të mbarë edhe për një veprimtari normale politike në vend.
Kjo letër e LSI-së u është dërguar gjithashtu edhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe ambasadorit të OSBE-së dhe atij të Bashkimit Europian në Tiranë.
Në letrën e sekretarit të përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama sugjerohet, që reforma zgjedhore të ndahet në dy faza, ku në fazën e parë të trajtohen vetëm çështje që kanë të bëjnë direkt me zgjedhjet lokale dhe më pas të trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet parlamentare dhe të një reforme administrative territoriale.
Në letrën e saj, LSI-ja sugjeron fillimisht zgjidhjen e tre çështjeve në Kodin Zgjedhor, shmangien e konfliktit të mundshëm të interesit, për shkak të rikandidimit të kryetarëve të njësive vendore, regjistrimin e kandidatëve në zgjedhje si dhe transparencën e financimit të partive në zgjedhje.
Duke konsideruar se këto çështje nuk janë aspak politike, LSI thotë se ato nuk pengojnë asnjërën parti të marrë pjesë në proçesin e reformës zgjedhore, i cili duhet të kryhet sipas rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR.
Megjithëse LSI-ja e ka ngritur shpesh herë çështjen e reformës zgjedhore, tani, kjo letër merr formën e një nisme për të ulur së bashku në një tryezë Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, natyrisht edhe LSI-në, në një kohë kur marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës duken të parikuperueshme.
Top Channel