Zelandë e Re, shkon në 113 numri i viktimave

25/02/2011 08:55

Zyrtarët në Zelandën e Re kanë identifikuar katër viktimat e para, ndërsa është rritur në 113 numri i personave të vrarë nga tërmeti me magnitutë 6,3 i shkallës rihter.

Katër trupat e para të identifikuar nga autoritetet janë dy persona të rritur dhe dy fëmijë, të moshës pesë vjeç dhe nëntë muaj, lajmëruan mëngjesin e sotëm mediat neozelandeze.

Punëtorët e shpëtimit janë duke kërkuar ende nën rënoja, por që prej ditës së mërkurë, asnjë i mbijetuar nuk është gjetur dhe shanset për të gjetur të tjerë janë minimale.

Përveç të vdekurve, 200 të tjerë janë ende të humbur, nga të cilët, 122 persona të varrosur në gërmadhat e një ndërtese të vetme të shembur. Sipas ekspertëve, është e pamundur që ndonjë prej tyre t’i ketë mbijetuar kolapsit të godinës.

Një tërmet i fuqishëm goditi shumë pranë sipërfaqës së tokës (5 km në thellësi) qytetin e Kristçërçit në Zelanën e Re, mesditën e së martës, kur aktiviteti në qytet ishte maksimal.

Top Channel