Forca shpëtimi të reja dhe vullnetarë po punojnë pa pushim për të liruar fatkeqët e mbetur në rënoja, edhe pse nata ka rënë në Zelandën e Re, e goditur më parë gjatë ditës nga një tërmet me magnitutë 6,3 të shkallës rihter.
Tërmeti kishte epiqendrën shumë pranë qytetit të Kristçërçit, ku 65 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa të paktën 100 besohet se kanë mbetur të izoluar në rënoja.
Katastrofa ndodhi gjatë orëve të drekës, kur aktiviteti në qëndrat komerciale dhe rrugët e qytetit ishte në pikun e tij. Ky është tërmeti i dytë që godet zonën në gjashtë muaj, por është tërmeti më i rëndë që ka goditur Zelandën e Re në 80 vjet.
Pavarësisht natës, të ftohtit dhe shiut, dhjetëra mijëra vullnetarë po ndihmojnë trupat e shpëtimit, për të shpëtuar të mbeturit në rënojat e qytetit me 400 mijë banorë.
Ndërkohë, rrjetet e informacioneve, kanë mundur të kontaktojnë në celular me persona të izoluar brenda rënojave.
Disa prej tyre, të plagosur, kanë dhënë dëshmi tragjike se si kanë telefonuar të afërmit për t’i përshëndetur, ndërsa njëra prej tyre deklaroi se është duke vdekur, pasi po humb vazhdimisht gjak dhe nuk ka asnjë mundësi për të ndaluar hemoragjinë.
Top Channel