Disiplinimi i Parlamentit

22/02/2011 15:30

Një amendament i ri për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, i paraqitur nga deputeti demokrat, Eduard Halimi, ka zhvendosur debatin në Komisionin e Ligjeve nga kufizimi i imuniteteve tek masat disiplinore për prishjen e seancës plenare. (UPDATE)

Ky amendament parashikon ndëshkimin e çdo deputeti me tre javë përjashtim nga Kuvendi, nëse deputetët, pasi të kenë konsumuar kohën e dhënë nga rregullorja, qëndrojnë në foltoren e Parlamentit më shumë se dy minuta dhe nuk e lëshojnë atë, një minutë pasi drejtuesi i seancës iu tërheq vëmendjen.

Për Partinë Socialiste ky amendament jo vetëm e thellon krizën politike, por synon t’i mbyllë gojën opozitës.

“Po e çoni opozitën dalëngadalë drejt një historie që diskutohet, nëse sot, opozita shqiptare është legjitime apo jo. Po ua them miqtë e mi, opozita nuk mund të nxirret jashtë ligjit. Nuk e nxirrni dot. Nuk mund t’ia hiqni të drejtën e fjalës. Kjo histori kërkon dialog dhe kompromis, por ky nuk është dialog. Ky nuk është kompromis. Kjo nuk është ftesë për dialog. Kjo është, do të rrish drejt, do bësh atë që të them unë, do të flasësh sa të them unë, madje do të arrihet deri aty sa të thuhet do flasësh si të them unë dhe kur të them unë. Kjo nuk është ndryshim rregulloreje. Kjo është një traumë dhe një krizë më tepër në këtë marrëdhënie shumë të plasaritur që kemi midis njeri-tjetrit. Situata politike që kemi nuk mund të zgjidhet me ndryshim rregulloreje”, është shprehur Majko.

Pas këtij diskutimi, me ftesën e zotit Majko, disa deputetë të opozitës u larguan nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa demokratët jo vetëm miratuan amendamentin, por shpjeguan edhe qëllimin e tij, që synon të ndalojë opozitën të bllokojë me dhunë punën e Parlamentit, një strategji që sipas kreut demokrat të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli, është përcaktuar dhe drejtohet prej kohësh nga kreu i socialistëve Edi Rama.

“Si ka mundësi që opozita kërkon sot në Parlament të shkelë ligjin dhe të përbuzë ndëshkimin? Për fare jeni zgjedhur juve në Parlament? Për të uzurpuar Parlamentin? Për çfarë jeni zgjedhur? Për të bllokuar proçesin ligjvënës? Për çfarë jeni zgjedhur? Për të na treguar modelin e shëmtuar të një shoqërie anarkiste? Jo! Nuk jeni zgjedhur për këtë! Asnjë shqiptar nuk ju voton për anarkizëm. Asnjë shqiptar nuk e do anarkizmin. Vetëm një e ka objektiv, vetëm një e ka platformë. Vetëm një e ka strategji. Ne jemi këtu për të mbrojtur parlamentarizmin, ndërsa strategjia dhe taktika e Edi Ramës janë lakuriq prej shumë vitesh”, tha Ismajli.

Me largimin edhe të pjesës tjetër të deputetëve socialistë pas këtij diskutimi, demokratët miratuan pa ndryshime thelbësore propozimin për të përfshirë në Rregulloren e Kuvendit, kufizimin e imunitetit.

Deputetët dhe ministrat, me vullnet të lirë, nëpërmjet një deklarate personale, autorizojnë prokuroren e përgjithshme të nisë proçedimin penal ndaj tyre për akuzën e korrupsionit, pa ndjekur proçedurat aktuale të Rregullores së Kuvendit, proçedura të clat do të respektohen për të gjithë ata deputetë që nuk firmosin deklaratën për kufizimin e imunitetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA