Debati për papunësinë

22/02/2011 18:20

Ministria e Punës dhe konfederata e sindikata prezantojnë shifra të ndryshme për papunësinë në vend me një diferencë prej dy deri në tre herë më shumë apo më pak, çka ka ngjallur debat në Këshillin Kombëtar të Punës.

“Në fund të vitit 2010 shënonte 143 mijë punëkërkues të papunë ose 2005 persona më pak se në fund të vitit 2009. Niveli i papunësisë në fund të vitit është në shifrën 13.5% dhe gjatë këtij viti janë regjistruar 51687 punëkërkues të papunë të rinj”, është shprehur Thoma Miço, shef i Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

“Papunësia në Shqipëri është 22-34%, sipas rajoneve dhe sipas profesioneve, por gjithnjë duke quajtur të punësuar edhe ata që janë punëtorë sezonalë apo punëtor shtëpie. Shifra e papunësisë është 2 apo 3 herë më e madhe në Shqipëri sesa ajo që jepet zyrtarisht. Nuk duket shumë e vërtetë shifra që 4 mijë vetë janë punësuar më shumë sesa në vitin 2009”, tha Kol Nikollaj, kryetar i KSPSH-së.

Sipas Nikollajt, janë të larta shifrat e largimit nga puna për shkak të bindjeve politike të cilët i janë drejtuar sindikatave për të zhvilluar gjyqet me qeverinë.

Ndërkohë që problem mbetet rritja e numrit të të papunëve mbi moshën 45 vjeç, të cilët janë kryefamiljarë.

Por sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, përjashtimi i kësaj kategorie nga tregu i punës është një gabim që ka kosto të lartë.

Ndërkohë shumë kompani po shkurtojnë vendet e punës, duke u justifikuar edhe me faktin se nuk kanë marrë paratë pasi kanë marrë pjesë në investimet me fondet publike.

Ndonëse flitej për një problem të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, edhe ky nuk i ka shpëtuar politizimit.

Top Channel