Tatimet, gjoba dhe bllokim 270 bizneseve

21/02/2011 08:35

Administrata tatimore ka rritur ndjeshëm kontrollet ndaj subjekteve që nuk kanë paguar detyrimet, sikurse e parashikon ligji “Për procedurat tatimore”.

Rezultatet e dobëta me arkëtimet gjatë vitit 2010 kanë detyruar drejtorin e përgjithshëm të tatimeve të dërgojë në terren grupet e posaçme të Task-Forcës, njësia e specializuar për verifikimet dhe kontrollet direkt te subjektet private.

Rezultatet kanë qenë të konsiderueshme, pas harkut kohor prej 40 ditësh, janë vendosur rreth 26.7 milionë lekë gjoba dhe sekuestruar mallra të ndryshme ndaj mbi 270 subjekteve, në rang vendi.

Aksionet u përqendruan kryesisht për zbatimin e ligjit sa i takon vendosjes së kasave fiskale dhe deklarimit të punonjësve për efekt të kontributeve shoqërore.

Vetëm për pajisjet fiskale janë gjobitur 147 subjekte, me vlerë rreth 16.5 milionë lekë.

Kujtojmë se për kasat fiskale, gjatë vitit 2010, u ndëshkuan mbi 6 mijë subjekte, me vlerë rekord prej të paktën 500 milionë lekësh.

Me gjoba janë ndëshkuar edhe vetë shoqëritë e autorizuara të kasave fiskale, në shumën e 6.3 milionë lekëve.

Aksionet për vendosjen e kasave dhe lëshimin e kuponëve tatimorë vijojnë ende, pasi të dhënat e fundit tregojnë se të paktën 40 për qind e subjekteve vijojnë të mos jenë pajisur me kasa.

Sa u takon kontrolleve për punonjësit e padeklaruar, 12 subjekteve iu vendosën rreth 3 milionë lekë gjoba, për shkak se në ambientet e punës iu gjetën 24 persona që ishin të regjistruar në listëpagesat.

Ndryshimet e fundit në ligjin “Për procedurat tatimore”, sa i takon pjesës së kontributeve, kanë rritur ndjeshëm masën ndëshkuese për punonjësit që nuk deklarohen në tatime, deri në 50 mijë lekë për person.

Të tjera ndëshkime u dhanë për subjektet që nuk ishin regjistruar në QKR, që nuk lëshonin si duhet faturën, si dhe për mosafishim të çmimeve, sikurse e parashikon ligji.

Task-Forca ka ushtruar kontrolle të rrepta edhe për mallrat që nuk shoqëroheshin me dokumente tatimore.

Të dhënat e fundit, që i përkasin periudhës janar deri më 17 shkurt, flasin për tonelata produktesh të konfiskuara, duke filluar me karburantet, pijet alkoolike dhe deri tek artikujt e ndryshëm ushqimorë.

Gati 33 tonë karburant, të llojit gazoil, është sekuestruar nga njësia e Task-Forcës, mbi 4 tonë gaz të lëngshëm, për arsye se malli transportohej i pashoqëruar me faturë tatimore.

Tatimet nuk bëjnë të ditur numrin e subjekteve, por garantojnë se aksionet do të vijojnë deri në uljen në minimum të evazionit.

Në “rrjetën” e tatimorëve kanë rënë edhe subjektet që tregtonin kafe, birrë dhe lëngje të ndryshme, në sasi mbi 4 tonë.

Të gjitha aksionet e ushtruara në muajt janar-shkurt janë udhëhequr mbi bazën e informacioneve të lëshuara nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, ku në rang vendi kaluan në sitë rreth 2200 subjekte.

Top Channel