Rama: Berisha duhet të ikë

21/02/2011 13:05

Duke e cilësuar kryeministrin Berisha si përfaqësuesin e denjë të regjimit komunist, kryesocialisti Rama tha se ai duhet të largohet për t’i hapur rrugë krijimit të një qeverie që punon për popullin dhe jo anasjelltas.

“I frikur deri në palcë nga zullumi që ka trashur duke vjedhur e duke vrarë për të vazhduar të vjedhë, Saliu bërtiti dje përsëri pa thënë dot asgjë tjetër përvec kërcënimeve që ia bën opozitës për ti dëgjuar vetë dhe marrë kurajo për të ndenjur në këmbë, njësoj si njëzet vjet më parë. Edhe për këtë Saliu duhet të largohet. Ja pse demonstratat popullore do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Paqësisht por vendosmërisht”, deklaroi Rama.

Kryetari i Partise Socialiste tha se qeveria aktuale dhe më së shumti kryeministri Berisha janë kthyer në simbolin e varfërimit të shqiptarëve dhe penga kryesore në zhvillimin e vendit.

“Saliu duhet të largohet sepse pushkët e qeverisë kanë vrarë qytetarë dhe njëzet vjet pas rënies se diktaturës, për hapjen e zjarrit të pushkës mbi popullin në demonstratë, nuk ka vetëm një përgjegjësi ligjore në fund të hetimit për atë që gjuan, po në krye të herës ka një përgjegjësi politike për ata që qeverisin. Saliu, Luli dhe e tërë kjo qeveri e kthyer në një rregjim vrastar kusarie  duhet të mbajë këtë përgjegjësi. Dhe populli duhet të zgjedhë lirisht, me zgjedhje të reja, të lira dhe të ndershme një qeveri të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit. Ja pse demonstratat popullore do të vazhdojnë edhe më të fuqishme deri në largimin e qeverisë”, theksoi Rama.

Top Channel