Punësimi i rregullt, 1 mijë shqiptarë drejt Italisë

21/02/2011 14:35

Rreth 1 mijë shtetas shqiptarë brenda vendit janë në listë pritjeje për t’u punësuar gjatë këtij viti në Itali, në bazë të marrëveshjes së punësimit të rregullt që qeveria shqiptare dhe ajo italiane kanë firmosur në vitin 2008.

Burime zyrtare nga Ministria e Punës thanë për Top Neës, se pas shpalljes së kuotave të punësimit nga shteti italian më 31 janar të këtij viti, pritet që një përfaqësi e Ministrisë së Punës së Italisë të mbërrijë në Shqipëri për të diskutuar mbi mundësinë e dërgimit në Itali të një kontigjenti prej 1 mijë punëtorësh të trajnuar në qendrat e formimit profesional.

Sipas këtyre burimeve, takimi me palën italiane ishte menduar të zhvillohej në ditët e para të muajit shkurt, por ngjarjet e fundit politike, kanë shtyrë dhe takimin e caktuar.

Drjetoresha e drejtorisë së emigracionit në Ministrinë e Punës, Silvana Banushi tha se pas një shpërndarjeje të kuotës totale prej 4500 që është bërë për shqiptarët që kanë aplikuar në Itali, është menduar që të përfitojnë dhe 1 mijë të papunë të regjistruar në zyrat rajonale të punësimit në të gjithë vendin, të cilët janë trajnuar për profesione të ndryshme, sipas kërkesës së tregut të punës në Itali.

Por, fluksi i kërkesave të paraqitura për shqiptarët që duan të punësohen në Itali nëpërmjet programit, për 2010-n paraqitet të jetë tepër i lartë krahasuar me kuotat e aprovuara për vendin tonë.

Vetëm ditën e parë të pranimit të kërkesave online, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme Italiane (31 janar 2011) pohohet të jenë regjistruar më shumë se 9505 kërkesa për punësim.

Praktikisht, krahinave e provincave ku janë paraqitur më shumë kërkesa u janë dhënë më shumë kuota.

Kështu, nga 4500 kuotat e shqiptarëve paraprakisht janë ndarë vetëm 1698: 318 në Lombardi, 263 në Reggio Emilia, 228 në Toskanë, 116 në Liguria, 96 në Lacio e kështu me radhë.

Top Channel