Surprizat në kinema “Imperial”

19/02/2011 20:45

“Unë jam numri katër” dhe “Piranjat” janë filmat më të fundit që po shfaqen në rrjetin e kinemave “Imperial”, paralelisht me kinematë në botë.

Për adhuresit e gjinisë aksion dhe fantashkencë është filmi “Unë jam numri katër”, me regji të D.J. Caruso, në role kryesore Alex Pettyfer, Timothy Olyphant dhe Teresa Palmer.

Filmi ka për protagonist një djalë, John Smith, me prejardhje nga një planet tjetër, por i transferuar në tokë për shkak të rrezikut që i kanosej.

Por armiqtë nuk i ndahen. Ata kanë zbritur në tokë, janë vënë në gjurmët e tij, për ta asgjësuar atë dhe të tjerët si ai.

“Është një nga filmat më të mirë të prodhuar kohët e fundit përsa i përket efekteve speciale dhe për temën që ka. Është një nga filmat aksion dhe mister ndër më të vlerësuarit nga kritika për momentin”, thotë Altin Prifti, drejtor i përgjithshëm i “Imperial”.

Për ata që duan të provojnë drithërimat e gjinisë horror, nën efektin e kinemasë 3D, “Piranja”.

“Duke ofruar larminë në rrjetin e kinemave tona, në 3D kemi menduar që të jetë një nga filmat horror më të suksesshëm, siç është ‘Piranja’ i cili po zgjon shumë interesin e moshave të ndryshme, të cilët pëlqejnë jo vetëm temën që është horror, por efektet në 3D janë mjaft të arrira dhe e bën që të jetë një nga filmat më të ndjekur për momentin”, është shprehur Prifti.

Ngjarjet zhvillohen në një qytezë pranë një liqeni në Arizona. Vendi ideal për festa për të rinjtë, që me zhurmat e tyre, nisin të zgjojnë pas mijëra vjetësh krijesat e frikshme. Regjia Alexander Aja. Në role kryesore Elizabeth Shue, Adam Scott.

Top Channel