Mbi 1600 forca të policisë, shumica e të cilave forca të ndërhyrjes së shpejtë edhe nga rrethet, si dhe policia e rendit, janë planifikuar të dislokohen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të siguruar rendin dhe qetësinë përgjatë protestës së opozitës.
Pak orë para se të nisë protesta bulevardi është kthyer në një fushë përgatitjesh jo vetëm për policinë e cila ka nisur të vendoset në të gjitha anët e Kryeministrisë, por edhe të medias.
Jo zyrtarisht burimet thanë për TCH se ndryshe nga plan-masat e mëparshme të demonstratave të opozitës, kësaj radhe veprimet e policisë do të monitorohen nga drejtues të misioneve policore ICITAP dhe PAMECA që asistojnë në Shqipëri për policinë shqiptare.
Duke qenë se policia pati kritika në protestën e 21 janarit për praninë e oficerëve civilë që u shfaqën duke shoqëruar demonstruesit, kësaj radhe në planin e masave është udhëruar që të gjithë agjentët pa uniformë të kenë të vendosur në mënyrë të dukshme mjetin e identifikimit të policisë.
Ndërkohë edhe në këtë plan masash është parashikuar që të jenë të pranishëm në demonstratë, agjentë të antiterrorit dhe të njësisë speciale operacionale.
Përkundër kamerave të shumta të mediave që do të ndjekin protestën, burimet thane se 34 agjentë të policisë do të filmojnë me kamera të posaçme protestën për ta monitoruar atë dhe personat e dyshimtë, sipas policisë.
Nga ana tjetër burimet thanë se policia ka pranuar kërkesën e opozitës për demonstratën e kësaj të premteje, ndërsa ky reagim i Policisë së Tiranës nuk është pritur fort mirë nga drejtues të Gardës, të cilët i kanë kërkuar përmes një letre zyrtare Policisë së Tiranës për ta refuzuar protestën, kërkesë e cila nuk është pranuar.
Një sinjal që tregon ndoshta fërkimet e para mes Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës.
Top Channel