Rewind, programi i ri muzikor i Top Channel

17/02/2011 20:55

“Rewind” është programi më i ri muzikor, që do të nisë ta transmetohet në Top Channel, duke nisur nga dita e premte.

Me autore Arbana Osmanin dhe prezantues Ledion Liço-n, elementët bazë të tij do të jenë këngët e Top Fest 8, por “Rewind” do të përmbajë edhe spektakël me tematika nga vitet e shkuara.

”Do të quhet Rewind sepse të premten në mbrëmje do kthehen dhe do të këndohen live këngët e Top Fest-it, që është një sprovë e vështirë”, thotë Liço.

Arbana Osmani shton: “Do të quhet Rewind edhe sepse do vijnë epokat më të rëndësishme artistike. Do kemi një rikthim në vitet 80, do të kemi ngjarje kult të kësaj epoke, prandaj na ndiqni”.

Janë tetë këngët që do të këndohen live çdo të premte, të shoqëruara nga orkestra e Top Channel, nën drejtimin e Dorian Gjonit.

Ato do të përzgjidhen nga bordi drejtues i Festivalit, nga 16 performacat që konkurentët do të bëjne gjatë javës, në ketë fazë të parë të Top Fest-it, festivalit që promovon këngën shqiptare.

Në kuadër të këtij festivali, Fondacioni mediatik “Dritan Hoxha” ka mbështetur financiarisht disa talente te reja.

Përpos transmetimit televiziv me regji të Ergys Lubonjës dhe skenografi të Fatmir Mingës, disa prej këtyre këngëve do të jenë edhe në transmetim radiofonik.

Top Albania Radio, Blue Sky Radio e Kosovës dhe Radio Vati e Maqedonisë do të perzgjedhin secila nga tre këngë, për t’i transmetuar pas çdo të premteje, gjatë të gjithë javës në vijim.

Për sa i përket rikthimit në kohë, që do të sjellë kontekstet artistike të epokave të shkuara, do të jetë në studio i ftuar një personazh i spikatur i periudhës që do të trajtojë mbrëmja dhe do të transmetohen inserte të ndryshme. “Rewind”, çdo të premte, në 20.45.

Top Channel