Lezhë, protestë për pagat

17/02/2011 17:40

400 punonjëse të një stabilimenti të përpunimit të peshkut në Lezhë kanë dalë për të dytën herë në një protestë.

Punonjëset kanë qendruar jashtë derës së stabilimentit pa hyrë në vendet e tyre të punës. Ato kanë përsëritur kërkesat e tyre për rritje pagash, kërkesë që e kanë bërë edhe në protestën e parë më 28 janar.

Ato paralajmërojnë se do ta vijojnë këtë protestë derisa të marrin një konfirmim dhe theksojnë se nuk do të frikësohen nga kërcënimet për pushim nga puna.

“Është dita e dytë e grevës dhe akoma nuk na ka ardhur pronari që të na dhënë përgjigje. Dihet që ne e bëjmë këtë greve për të rritur pagën, që është sa një rrogë pensionisti”, thotë një prej tyre.

Punonjëset theksojnë se pagat e tyre janë shumë të ulëta dhe nuk e kapin as minimumin jetik prej 19.000 lekësh, edhe pse puna që ato bëjnë është e vështirë.

Top Channel