Inaugurohet regjistri i adresave

17/02/2011 16:50

Në një kohë kur zgjedhjet e 8 majit janë objekt i diskutimit si për politikanët shqiptarë, ashtu dhe i faktorit ndërkombëtar, kryeministri i vendit Sali Berisha i bëri ftesë opozitës që të votojnë në Paralment ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR, duke garantuar të gjitha votat që mazhoranca ka.

“Koha është, rekomandimet janë aty, qeveria është e hapur për të përdorur gjithë votat që ka. Ftoj të interesuarit për votë të lirë dhe për një proces të standarteve ndërkombëtare, të shfrytëzojnë këtë oportunitet në Parlament. Mbetem i angazhuar për konvertimin e këtyre arritjeve në arritjet më të mëdha të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Berisha e bëri këtë deklaratë gjatë inaugurimit të regjistrit kombëtar të adresave, duke e konsideruar atë një projekt të rëndësishëm që garanton dhe mbarëvjatjen e procesit zgjedhor.

“Kemi përfunduar një nga fazat kryesore të modernizimit, pas gjëndjes civile, pas dokumentave të sigurta biometrike, atë pjesë të mandatit të projektit madhor të Ministrisë së Brendshme për Shqipërinë dixhitale, me hedhjen e të dhënave në këtë regjistër elektronik të adresave të të gjithë Shqipërisë”, deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të regjistrit kombëtar të adresave ishin ambasadori i Bashkimit Europian dhe ai i OSBE-së në Tiranë, të cilët theksuan se regjistri i adresave do të rrisë eficencën e shërbimeve shëndetësore, të taskave, sigurimeve shoqërore, arsimit, postës, gjykatave e të tjera. Bashkimi Europian ka financuar rreth 2.5 milonë euro për realizimin e këtij projekti.

Top Channel