Topi: Gjyqtarët pa imunitet

16/02/2011 11:25

Presidenti i Republikës ka kërkuar që heqja e imunitetit për gjyqtarët të mos mbetet vetëm një apel, por të bëhet e ligjshme.

Për herë të parë presidenti i Republikës i ka kërkuar KLD-së dhe trupës gjyqësore që të dalin në një vendim të përbashkët dhe t’i dërgojnë Parlamentit kërkesën për heqjen e imunitetit të tyre.

“Por kjo nuk duhet të mbetet tek gatishmëria, por të institucionalizohet. KLD të shprehet haptas për këtë. Të nderuar anëtarë të KLD-së, ju ftoj që bashkë me shoqatën e gjyqtarëve të gjendet dialogu dhe t’i cohet Kuvendit në mënyrë që parlamentarët të vendosin edhe për këtë cështje të rëndësishme”, ka deklaruar Topi.

Gjatë mbledhjes së fundit të KLD-së, pjesën më të madhe të fjalimit të tij publik, presidenti ia ka rezervuar cështjes së Gërdecit. Ai ka kërkuar të monitorohet procesi për shkak të ndjeshmërisë publike të madhe që ka.

“Për ta monitoruar këtë proces në mënyrë që kjo tragjedi e rëndë, që më 15 mars bën 3 vjet, të trajtohet në mënyrë të ndershme, profesionale dhe efikase që të jepet drejtësi. Futem në ndjeshmërinë e qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi dhe impenjimi duhet të jetë i vecantë”, ka pohuar Topi.

Presidenti ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë midis gjyqësorit dhe prokurorisë. Më pas mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura, ku rendi i ditës ka patur si pikë kryesore inspektimet në gjykata.

Gjatë një njoftimi nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu ka sqaruar se u ra dakort për inspektimin e trupës gjyqësore të procesit për tragjedinë e Gërdecit, si dhe të disa proceseve në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

“Inspektoriati i KLD-së dhe ai i Ministrisë së Drejtësisë do inspektojnë anën organizative për cështjen e Gërdecit, apo dhe cështjeve të tjera tek të cilat ka zvarritje”, ka bërë të ditur Spahiu.

KLD-ja vendosi edhe për inspektimin e disa trupave gjyqësore që kanë dhënë vendime për ndryshime kombësie.

Top Channel