Opozita zbarkon në Strazburg

16/02/2011 09:10

Një përfaqësi nga Partia Socialiste, kryesuar nga Edi Rama, u takua në Strasburg me përfaqësues të dy grupimeve kryesore politike në Parlamentin Europian, PPE dhe Socialdemokratët, por dhe eurodeputetë të Grupit të Gjelbër e Liberal si dhe raportuesin për Shqipërinë, Nicolaos Chountis.

Në të gjitha takimet është theksuar se opozita nuk bojkoton zgjedhjet lokale, por dhe nuk pranon qeverisjen aktuale.

“Diskutuam sesi të kapërcejmë krizën, e veçanërisht mbi të ardhmen e vendit, mbi rëndësinë e mbajtjes se zgjedhjeve lokale dhe veçanërisht mbi rëndësinë për të përshtatur ligjin në mënyrë që të mbahen zgjedhje të mira dhe pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha grupet politike. Ne për këtë synim luftojmë. Themeli duhet të përgatitet sipas rekomandimeve të bëra nga OSBE-ODIHR dhe duhet që opozita dhe qeveria të gjejnë një qëndrim të përbashkët mbi këto rekomandime, që të bëjnë ndryshimet e nevojshme, të miratojnë ligjin elektorale e më pas të bëjnë zgjedhjet lokale. Nëse ka vërtet vullnet politik, kjo punë bëhet për 2 javë. Ne, nga ana europiane mund të ndihmojmë për këtë, por nuk ka dyshime se kjo gjë mund të arrihet brenda një periudhe shumë të shkurtër. Sigurisht që edhe zgjedhjet lokale mund të ishin shtyrë për të biseduar më në detaje këtë çështje, por meqënëse mungon vullneti politik për të shtyrë këto zgjedhje, atëherë vlerësoj se mund të bëhen ndryshimet e nevojshme në një periudhë të shkurtër”, deklaroi Hannes Sëoboda, zëvendëspresident i Socialdemokrateve në PE.

“Shpresoj që zgjidhja të bëhet në kohë, që ju dhe ne të fokusojmë vemendjen në problemet e mëdha ekonomike e sociale në vend. Nuk mund të shprehem unë mbi proçedurën për zgjedhjet e parakohshme në vend. Kjo çështje i takon qeverisë dhe opozitës. Ne s’mund të merremi me të tilla probleme. Por për mua, kjo situatë duhet të zgjidhet nga shqiptarët dhe partitë e tyre politike, ky është mendimi im. Këshillat dhe sugjerimet e mia i shkrova në raportin për Shqipërinë e mendoj se ishte korrekt. Ndërsa tani, sidomos pas zhvillimeve të fundit, problemet janë bërë edhe më të vështira për t’u kapërcyer. Të njëjtat mesazhe unë i përsëris në çdo takim me përfaqësuesit politik të Shqipërisë, sepse unë gjykoj se do të ishte shumë e rëndë që të merreshin masa ndëshkuese të rënda ndaj qytetarëve shqipëtare”, është shprehur Nicolaos Chountis, raportues për Shqipërinë në PE.

Me “masa ndëshkuese ndaj qytetarëve shqiptare”, raportuesi Chountis tregoi se nënkuptonte rikthimin e regjimit të vizave në vend.

I pozicionuar përballë presionit nga dy grupimet e mëdha politike europiane, Nikolaos Chountis tregoi se preferonte të mos bënte raport mbi Shqipërinë këtë vit.

Kjo, sipas tij, do të shmangte pasazhet kërcënuese për rivendosjen e vizave “nëse palët nuk gjenin zgjidhje politike ndaj krizës”.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel