Modelet dhe anoreksia në Shqipëri

16/02/2011 19:10

Një sdudente farmacie dhe modele, me një ëndërr të madhe, që të sfilojë një ditë për “Victoria Secret”, ishte personazhi i sotëm në emisionin e pasdites në Top Channel.

”Që e vogël, kur shikoja modelet duke sfiluar nëpër pasarela, më tundonte ideja që një ditë të shndërrohesha edhe unë si ato”, thotë 20-vjeçarja, e cila merret me modën që prej katër vitesh.

Një modele, për shkak të punës së saj, duhet që gjithmonë të duket në top-formë. Elementi kryesor që të ndihmon në këtë pike, sigurisht që është ushqimi. Në ditët e sotme, fiksimi për të pasur një trup sa më elegant po i çon shumë modele drejt kequshqyerjes.

”Zgjedhja e ushqimeve është shumë e rëndësishme për mbajtjen e trupit në formë dhe sidomos për një modele. Duhet të merren vlera ushqimore të shëndosha, as më pak dhe as më shumë, duke shkaktuar më pas shëndoshjen dhe prishjen e linjave”, shton Vilma.

Ëndrra për të pasur një trup perfekt bën që shumë modele të ndjekin dieta tepër rigoroze. Por, dietat, shpeshherë pa rekomandimin e mjekëve, janë shndërruar në një mjet komercial.

”Në dietën time, përpiqem të eliminoj të gjithë yndyrrat dhe sheqernat e tepërta. Këtë nuk ma kanë rekomanduar mjekët, por stilistët. Kam patur shoqe që kanë vuajtur nga anoreksia. Ato nuk mendonin për të patur një trup të shëndetshëm, por vetëm për të qenë sa më të dobëta që të ishte e mundur”.

Sipas shumë modeleve, të jesh e dobët, është njësoj sikur ta zgjasësh rininë. Dhe ajo më e rëndësishmja, sipas tyre, është fakti se duke qenë në rregull me normat e bukurisë, femrat ndihen më të kënaqura e më të vlerësuara.

Duke kuptuar rëndësinë shumë të madhe të aktiviteteve sportive, Vilmën e gjejmë te kodrat e liqenit, vendi i preferuar i kryeqytetasve pët të bërë ushtrime fizike.

”Mundohem të dal për vrap të paktën tre herë në javë dhe përpiqem të bëj sa më shumë ushtrime fizike, në mënyrë që të jem në një formë sa më të mirë”, vazhdon rrëfimin e saj Vilma.

Në kushtet e krjuara në botën e modës, mjekët ngrenë shqetësimin në lidhje me dietat tepër të rënda dhe sëmundjen e anoreksisë, e shndërruar në problemin në serioz për jetën e modeleve.

Mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji, tregon se dietat e parekomanduara nga mjeku kanë vetëm pasoja negative:

”Zakonisht, tendenca e modeleve është që të zgjedhin dieta me shumë pak kalori, në mënyrë që të mbajnë një trup sa më të dobët dhe me sa më pak kalori që të jetë e mundur.

Mjekët, gjithmonë i bëjnë të qartë pacientëve të tyre, se në mënyrë që një trup të quhet në peshën e duhur, është e domosdoshme që të plotësojë disa raporte të caktuara, të bazuar mbi trupin, gjatësinë, moshën dhe seksin e tyre.

Në përgjithësi, modelet përpiqen të jenë sa më të dobëta, sepse kjo supozohet se i bën të duken sa më të hijshme, por nga pikëpamja mjekëosre nuk është aspak diçka e mirë”.

Përveçse sjellin pasoja të dëmshme fizike, dietat e forta, të ashtuquajtura dieta spartane, janë në gjendje të shkaktojnë edhe probleme nervore.

Organizmi, duke mos marrë një sasi vitaminash apo elementë të caktuara kalorifikë, bën që të shkojë deri në neveri ndaj ushqimeve.

”Është e domosdoshme që çdo njeri të jetë në raportin e duhur përsa i përket peshës dhe konsumit të tij kalorifik. Dëmtimet e para që shkakton një dietë e fortë janë të dukshme tek humbja e peshës.

Më pas, në dietat e zgjatura, fillojnë e dëmtohet funksionet bazë të organeve. Problemi më serioz është ai që ne e quajmë anoreksia mendore. Nëse për një kohë të gjatë ndiqen dieta shumë të dëmshme, atëherë njeriu shkon deri në neveri ndaj ushqimeve.

Kjo bën që të mos e ndiesh më nevojën që të ushqehesh dhe nëse nuk trajtohet, ky problem mund të çojë deri në vdekjen e pacientit”, thotë doktor Gjergji.

Zakonisht, të gjtiha vajzat e reja që përpiqen të humbin në peshë, zgjedhin dieta të ngjashme, në të cilat eliminohen në mënyrë kategorike yndyrrat dhe elementët e tjerë që mbartin shumë kalori.

Sipas doktorit endokrinolog, dietat nuk mund të jenë të njëjta për të gjithë njerëzit dhe ato duhet të varen nga shumë faktorë.

”Profesioni dhe mosha kanë shumë rëndësi. Dietat janë veçanërisht të dëmshme tek fëmijët apo adoleshentët në moshën e rritjes. Profesioni gjithashtu ndikon shumë. Përshembull, ata që merren me sport, shpenzojnë shumë energji çdo ditë dhe për këtë arsye, duhet të hanë edhe shumë më tepër se njerëzit e zakonshëm.

Që organizmi të funksionojë normalisht, është e domosdoshme që të respektohet barazpesha e asaj që hamë me atë që djegim.

Mbipesha dhe nënpesha janë njësoj të rrezikshme për shëndetin e njeriut. Është e rëndësishme që të mos kërkojmë të jemi të dobët, organizmi ndihet më mirë nëse është në normën e tij të duhur”.

Top Channel