Persona të maskuar dhe me armë kanë grabitur një shtëpi në fshatin Lalëz të komunës së Ishmit në Durrës duke terrorizuar një çift të moshuarish të cilët janë vënë në shenjestër të grabitësve nga vëllai i nuses së tyre.
25 vjeçari Hekuran Meta ka projektuar grabitjen ndaj vjehrrit dhe vjehrrës së të motrës, por më pas është prangosur së bashku me bashkëpunëtorët e vet në këtë krim.
Një bashkëpunim i ngushtë mes komisariateve të policisë së Shijakut dhe Matit ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e të përfshirëve të cilët kanë mundur të marrin me dhunë 2 milionë lekë të reja nga banesa e një 69 vjeçari dhe të largohen.
Dy prej të arrestuarve janë nga Dibra dhe me banim në Manëz të Durrësit, ndërsa dy të tjerët janë nga fshati Lis i Burrelit.
Në pranga përveç Hekuran Metës, kunatit të djalit, kanë rënë Ylber Murati 23 vjeç me banim në Manëz dhe Ardian Çupi e Riza Shera, përkatësisht 23 dhe 18 vjeç nga Mati.
Katër të rinjve të akuzuar për ngjarjen iu gjet dhe sekuestrua shuma e grabitur të cilën e kishin ndarë mes tyre pas vjedhjes, si dhe dy automatikë dhe një pushkë.
Top Channel