Rikonstruksioni i Rrugës së Durrësit

12/02/2011 16:40

Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për sistemimin dhe asfaltimin e Rrugës së Durrësit në kryeqytet, ndaj kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për devijimin e qarkullimit të automjeteve për rreth një javë.

“Këto punime kryhen në kuadër të transportit multimodal të qytetit të Tiranës i cili ka sjellë një përmirësim të mjaftueshëm në skemën e qarkullimit në akset kryesore. Bashkia e Tiranës dhe subjekti kontraktor kanë marrë të gjitha masat dhe mjetet e nevojshme dhe kanë vënë në dispozicion në mënyrë që punimet të kryhen në një afat rekord prej një jave”, është shprehur Dritan Agolli, administrator i përgjithshëm në bashki.

Drejtues të Bashkisë së Tiranës u bëjnë apel qytetarëve, të respektojnë sinjalistikën si dhe të mos parkojnë në vendet, që nuk lejohet, për të mos vështirësuar qarkullimin të paktën në ditët e para të javës të cilat konsiderohen të ngarkuara.

“Gjatë kësaj jave, qarkullimi do të kryhet përgjatë rrugës “Mine Peza”, në të cilën gjatë kohës që kryen punimet nuk do të lejohen parkimet”, është shprehur Dritan Agolli.

Drejtuesit e automjeteve përveç sinjalistikës do të orientohen edhe nga policia bashkiake e cila do të kujdeset për të shmangur trafikun e rënduar që mund të krijohet nga skema e re e qarkullimit që ka nisur të funksionojë në Tiranë për shkak të punimeve që po kryhen në këtë rrugë si dhe në sheshin “Skënderbej”.

Top Channel