Ekspertiza amerikane e Gërdecit

11/02/2011 15:15

Prokuroria ka lexuar aktekspertimin e specialistëve amerikanë në vendngjarje dhe të ekspertëve shqiptarë për proçedurat që u ndoqën dhe shkeljet që dyshohen të jenë bërë deri në ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec dhe shpërthimin tragjik në 15 mars 2008.

Duke ju referuar këtij raporti, prokurorët thanë se kontrata për demontimin e municioneve në Shqipëri rezulton të jetë formale e firmosur fillimisht mes përfaqësuesve të SAC, Patrik Henrit dhe drejtuesit të “Meico”-s Ylli Pinari, për një afat tetë mujorë me vleftën e 1,6 milionë dollarëve.

Kontrata, sipas ekspertëve, është nënshkruar me mungesë dokumentacioni të mjaftueshëm.

I vetmi dokument që ka depozituar kompania amerikane SAC, sipas ekspertëve, ka qenë vetëm një liçensë biznesi, e cila sërish nuk e specializonte atë për proçesin e demontimit dhe çmilitarizimit, por për të importuar.

Sipas ekspertëve, në dokumentacionin që mungon duheshin, një dokument që SAC ekzistonte si person juridik, dokumentacioni i kapaciteteve të  kësaj shoqërie, dokumentacione që duhet të merreshin nga disa ministri që nga e Financave për tatimet, deri tek e Mjedisit.

Po kështu në këtë kontratë, firmosur përpara se të dilte urdhri i ministrit të Mbrojtjes për këtë çështje, është shmangur edhe nënshkrimi nga institucioni i avokatit të shtetit.

Në vijim të mungesës së dokumentacioneve, ekspertët kanë thënë se, sipas kontratës, proçedurat duhet të ndiqeshin nga SAC dhe pikërisht këtu mungon edhe një autorizim nga Ministria e Mbrojtjes që ja kalon kompetencën shoqërisë shqiptare “Albademil”.

Po kështu, sipas ekspertëve, mungon edhe liçensa sërish që duhej të lëshohej nga Ministria e Mbrojtjes për “Albademil” që i jep të drejtën e demontimit të municioneve “Albademil”.

Sipas tyre, aktiviteti i kompanisë “Albademil” ka qenë tërësisht në të zezë.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, amerikanë që ishin në Gërdec nga shpërthimi i dëmtuan 10 mijë shtetas, katër mijë biznese, u evakuan gjatë asaj dite tragjike katër mijë persona, ndërsa dëmi i asaj ditë, sipas amerikanëve, kap vlerën e 23 milionë eurove.

Në fund prokurorët përsëritën ekspertizën e amerikanëve se Gërdeci u shkaktua nga saldimi i një karroce.

Pasi lanë qelitë e 313-s për shkak të skadimit të afateve të paraburgimit, ishin të pranishëm në proçes Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeci dhe mungonin dy të tjerët Mihal Delijorgji dhe Dritan Mincolli.

Top Channel