Berisha: Financim 98 projekteve rrugore

11/02/2011 12:40

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, në mbledhjen e kabinetit të tij ka deklaruar se përparësi mbeten investimet në infrastrukturë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka bërë të ditur se janë gjithësej 87 projekte, një pjesë e të cilave janë në përfundim ndërsa të tjerat në realizim.

“Sot jemi mbledhur për të bërë financimin e rreth 87 projekteve në infrastrukturën rrugore. Do marrin financim të plotë për rrugën që kanë kryer të gjitha punimet, që janë realizuar me financime nga 51 në 100% të tyre”, ka deklaruar Berisha.

Sipas kryeministrit, rëndësi do t’u kushtohet edhe rrugëve rurale, edhe pse ato janë dytësore për nga rëndësia.

“Do financohen edhe 11 projekte të tjera në infrastrukturën rrugore, janë gjithësej 98 projekte, në përfundim ose në vazhdim. Nuk përjashtohen rrugët kombëtare, por shumica janë rrugë rurale dytësore”, ka saktësuar Berisha.

Kreu i ekzekutivit ka shtuar më tej se vëmendje do t’i kushtohet edhe ndërtimit të ujësjellësve, por përparësia më e madhe mbetet arsimi.

“Janë për t’u financuar gjithashtu 68 ujësjellës, që kanë kryer 100% punimet. Gjithashtu, kemi disa shkolla, ndërtimi i të cilave është emeregjencë, si në Kamëz e Paskuqan, ku për shkak të numrit të lartë të nxënësve punohet me tre turne. Por përparësi madhore do të jenë kampuset universitare dhe arsimi parashkollor”, ka shtuar Berisha.

Top Channel