Ruçi apel Berishës: Dorëzohu para drejtësisë

10/02/2011 10:45

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë si përgjegjëse për humbjen e jetës së katër personave në demonstratën e 21 janarit.

“Ziver Veizi, Hekura Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj ishin katër shqiptarë që në 21 janar u gdhin të gjallë me dëshirën e revoltës qytetare për të protestuar paqësisht ndaj një pushteti të egër që të vjedh pasurinë dhe të vretë edhe jetën. Ata u vranë nga dora kriminale e një pushteti diktatorial. Ata humbën jetën për lirinë e tyre, duke kërkuar Shqipërinë që meritonin dhe nuk e panë kurrë”, tha Ruçi.

“Jetën ua mori padrejtësisht qeveria dhe krimi në pushtet”, theksoi Ruçi.

“Zotrinj ministra… ju që jeni kthyer në një bandë kriminalë që mban fshehur ekzekutorët, ju që para interesave të Shqipërisë zgjidhini të mbushni xhepat tuaja, hesapet me drejtësinë herët a vonë do t’i lani, por me historinë kurrë. Lëvizni sa jeni në kohë. Dononconi atë që ju mban peng”, deklaroi Ruçi.

“Zoti Berisha, shumë kanë besuar se do të silleshe ndryshe, se nuk do të bëje të njëjtat gabime, se nuk ishe i njëjti si ai i 1997-s, duke lënë pas shkatërrime, djegie dhe anarki, por unë dhe më shumë se unë nuk kanë besuar se ti nuk kishe ndryshuar. I dhe përgjigje më të keqe me plumba popullit. Je ti që ke shkallmuar shtetin dhe përdhosur demokracinë, je ti që ke çmontuar shtetin ligjor, ke asgjësuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, je po ti që ke kapur shtetin, që monopolet e familjes dhe ministrave të tu i ke kthyer në sistem. Je po ti që jep urdhër për të vrarë qytetarët e thjeshtë. Pse i vrave shqiptarët? Kush e dha urdhërin? Kush dha urdhër për të qëlluar më plumba kur kërcënimi ndaj godinës ishte zero. Nëse thua që i vrau Edi Rama, do tregosh se je ti përgjegjësi”, tha Ruçi.

“Ti nuk je burrë shteti, por je vetëm një burrec”, shtoi ai.

Duke folur në seancën parlamentare që filloi me një minutë heshtje për viktimat, Ruçi ka kërkuar dhënien fund të komisionit hetimor dhe dorëzimin e kryeministrit Berisha përpara drejtësisë si përgjegjës i vrasjeve të ndodhura.

“Jepi fund atij komisioni të turpshëm hetimor sepse nuk ka asnjë institucion të justifikojë dalldinë tuaj. Jepi fund dhe respekto institucionet e pavarura. Hiq dorë nga dhuna që ke ndërmend për të ndëshkuar gazetarët. Jepi fund asaj maskarade dhe lëre ligjin të veprojë. Dorëzohu para drejtësisë. Shko vetë se nëse do të çojnë të tjerët do shkosh jo si burrë, por si burrecë”, theksoi ai.

Top Channel