Rama: Në 18 shkurt, sërish në protestë

10/02/2011 13:50

Kryetari i PS-së, Edi Rama ka deklaruar se opozita do të dalë sërish
në protestë më 18 shkurt për të kërkuar largimin e qeverisë dhe mbajtjen
e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 

Ai ka theksuar se dy përgjegjësit kryesorë për vrasjen e katër demonstruesve në 21 janar, nuk u paraqitën sot në parlament, duke iu shmangur dhënies së përgjegjësisë.


“Më 18 shkurt do të dalim në demonstratë për të kërkuar shpresën e re paqësisht, por vendosmërisht. Ne do të ridalim në demonstratë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk është luftë për pushtet, por një betejë e ligjshme për shtetin e së drejtës dhe jo një shtet që vret njerëzit në mes të qytetit”, është shprehur Rama.

“Do refuzojmë pushtetin vrastar sepse kjo nuk është luftë PS-PD, por beteja e Shqipërisë që nuk do të nënshtrohet. Kjo është një demonstratë për të majtët dhe të djathët e varfër. Nuk duam largimin e kësaj qeverisjeje për t’u zënë vendin, por për të vënë në vend drejtësinë dhe zbatimin e Kushtetutës”, theksoi ai.

“Dy të akuzuarit kryesorë nuk u paraqitën sot në parlament, por i bën bisht përgjegjësisë. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari largimin e tyre, për të vënë në vend drejtësinë”, tha Rama.
 

Top Channel