Minxhozi: SHBA kanë ndryshuar qëndrim

10/02/2011 21:40

Për analistin Skënder Minxhozi, qëndrimi i SHBA ndaj Shqipërisë ka pësuar një ndryshim të vogël që është reflektuar nga ambasadorët e tyre në Tiranë, John Withers dhe Alexander Arvizu.

“Linja e Withers dhe ajo e Arvizu ka pak ndryshim. Ka një ndryshim qëndrimi, i cili sado i vogël përkon me zhvillimet politike në Shqipëri”, ka deklaruar Minxhozi.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Minxhozi është shprehur se ndryshimi ka ardhur si pasojë e ngjarjeve të fundit të ndodhura në vend.

“Dështimi i votimit të komisionit hetimor vitin e kaluar dhe ngjarja e 21 janarit, ku pati dhunë e të vrarë dhe kur Shqipëria u fut në listën e vendeve në krizë. I gjithë ky qëndrim ka të bëjë me këto piketa dhe spostim të politikës shqiptare, që mund të shkojë në dështim”, ka pohuar Minxhozi.

Sipas tij, as ardhja e zëvendës-ndihmës sekretarit të Shtetit, Thommas Countryman në Tiranë nuk ndryshoi gjë.

“Nëse do flisnim për rezultatet e vizitës Countryman, ato do të ishin një zënie me grushta në Parlament, dy padi në prokurori dhe një përjashtim i 3 deputetëve”, ka shtuar Minxhozi.

Top Channel